Tirana dhe Vllaznia luajnë nesër në 17:15 për javën e 34 në Superligë. Sfida e “Selman Stërmasi” ka vlerë për shkdoranët që kërkojnë Evropën, teksa bardheblutë e Tiranës janë shpallur kampionë të këtij sezoni.
Në konferencë për shtyp, trajneri i Vllaznisë, Elvis Plori ka kërkuar fokusim në ndeshjen e radhës, pasi të tijve i duhen tre fitore për mos lënë në dorën e tjetërkujt fatin dhe objektivat. Plori ka treguar se Djurdjevic nuk ia ka dalë për duelin e së shtunës.
“Tirana? Për ne është një sfidë me shumë interes, duke ditur edhe ngjeshjen e ekipit dhe objektivat. Nuk kemi arritur asgjë deri tani. Jemi baraz me Partizanin dhe tre pikë para Kukësit, ka edhe tre ndeshje. Duhet të jemi seriozë dhe të bëjmë në fushë më të mirën.
Tirana kampione, më e lehtë? Jo, është skuadër që nuk ka shkuar kot 20 pikë para. Ka element që bëjnë dallimin, duhet vlerësuar në maksimum. Nuk duhet të nënvlerësojmë. Nuk kemi kohë për gabime dhe rikuperime, janë tre ndeshje për të marrë maksimumin. Na duhen nëntë pikë për Europën.
Ne nuk duhet të merremi me Tiranën, të merremi me veten dhe të kemi angazhim në fushë si ndaj Kukësit. Duhet mos bëjmë një pjesë mirë dhe një keq, kemi bërë gabime. Të kemi mendjen te detyrat tona, jo çfarë bën Tirana. Të mendojmë për këtë duel, më pas për dy të tjerat.
Formacioni? Latifi është i gatshëm. Djurdjevic e ka të pamundur të kthehet edhe pas analizave të kryera.
Kartoni i kuq për trajnerin e portierëve? Me ardhjen time në stol është nxehur pak më shumë sesa duhet (qesh). Të qetësohet pak dhe mos transmetojë momente të tilla. Jemi Vllaznia, jemi Shkodra. Ideali është djalë i mrekullueshëm.
Tifozët? Tifozët janë të ndjeshëm, e kuptojnë kur ekipi luan.
Çoba? Ka pasur vëmendje gjatë gjithë kohës, ka 22 ndeshje të aktivizuar. Pretendohet të jetë e ardhmja e klubit. Është viti i dytë këtu, ka edhe gjashtë ndeshje në Kupë. E kemi diskutuar pjesën e lojtarëve të Akademisë. Janë Paloka, Qarri, Smajli etj. Edhe Gurishta, po të kthehemi te viti i parë në ekip ka pasur 4-5 ndeshje. Jemi të bindur se kemi fituar futbollistë.
Tri pikë? I bindur nuk jam, 90 minuta do luhet futboll. Topi është i rrumbullakët. Duam një skuadër kërkuese me shumë entuziazëm në fushë.
Ne na duhen tre fitore që mos merremi me ekipet e tjera. Do flasim vetëm për Vllazninë”, tha Plori.