Çdo herë që kthehem në Shkodër, shoh më pak nga qyteti im. Shkodra po zhduket dalëngadalë e po reduktohet në disa piktura në faqet e mureve të lokaleve, në disa koncerte apo shfaqje teatri. Nëpër zyra, media, përfaqësi nuk sheh më fytyra familjare, madje as në rruge nuk ke kë të përshëndesësh. Edhe pse qytetaria i rezistoi çdo pushtimi, qoftë edhe atij komunist që egërsisht tentonte të zhdukte çdo shenjë dalluese mes njerëzve e qyteteve, sot Shkodra është kthyer në një ishull që po tkurret e po zhduket pa kthim.
Familjet të cilat ndërtuan Shkodrën, mbrojtësit e vlerave që e bënte këtë qytet të dallonte nga të tjerët dhe i dhanë kulturë, sport, art, me pak fjalë “jetë”, gabuan diku. Ndoshta nga egoja për të qenë të gjithë të parë, ndoshta nga dembelia që prodhoi krenaria deri në arrogancë e fodullëk i “dyerve t’mdhaja” apo thjeshtë mosdakortësitë fetare e politike, po e shndërrojnë qytetin mijëvjeçar në një provincë pa identitet.
Një teori antropologjike thotë që njeriu pushtoi botën jo se është më inteligjent se kafsha, por nga aftësia për t’u organizuar në numër të madh rreth disa vlerave, koncepteve si Zoti apo paraja, ose duke besuar në tregime e narracione që prodhuan më pas perandori dhe kombe. Kjo e bën njeriun rezistent ndaj çdo lloj ndryshimi dhe e pozicionon në majën e hierarkisë mes frymorëve. Kjo është shenja që e ndan nga kafsha e cila domestikohet (kthehet në shtëpiake, e zbutur) ose zhduket. Kjo shenjë civilizuese i mungoi familjeve që e ndërtuan dhe e bënë këtë qytet një qytet far, gjurmët e të cilit i gjen ndër shekuj nëpër faqe librash apo që e provojnë gërmimet arkeologjike.
Ende sot nuk arrijnë të organizohen për t’ju imponuar shoqërisë që Shkodra të mbesë Shkodër. Pasardhësit e tyre emigrojnë, largohen, tërhiqen e distancohen nga “polis-i” duke krijuar një vakum i cili mbushet jo me boshllëk, por akoma më keq, me mediokritet. Përfaqësuesit e tyre nuk drejtojnë më as jetën artistike e kulturore të vendit, as atë ekonomike e ende më pak atë politike. Ato gjenden si relike zbukurimi nëpër cepat e sallave të mbledhjeve apo konferencave, në rreshtat e fundit të aktiviteteve, në skajet fundore të listave përfaqësuese e ndonjëherë nën prozhektorët e kamerave, si provë e një Shkodre që nuk ekziston më.
Nëse nuk ka reagim në këto vite dekadence, Shkodra nuk do gjendet më as në faqet e mureve të lokaleve si produkt marketingu sepse atë Shkodër mijëvjeçare nuk do të ketë kush më as njohuri, as dëshirë ta “blejë”. Shkodra do mbesi veçse nëpër rreshtat e ndonjë faqeje rrjetesh sociale, ku nostalgjiket do qahen me dëshpërim si nuk e shpëtuan.
Ka akoma pak shpresë. Kjo vetëm nëse kemi guximin të pyesim veten “Ku gabuam?”. /Nga Ted KOPLIKU/