Mirel Josa është prezantuar te Vllaznia si trajneri i ri. Në krah të presidentit Alban Xhaferi, Josa ka marrë detyrën e re dhe është rikthyer në ekip pas 10 vitesh, po në postin e trajnerit. Në lidhje me këtë vendim, presidenti i Vllaznisë ka thënë se objektivi i fitimit të Kupës do i japë një hov klubit, teksa trajneri i ri ka qetësinë për të punuar.
“Nuk më erdhi mirë për largimin, dua të falenderoj Plorin publikisht. Nuk ka qenë trajner për një muaj, ka dy vite që e kemi në staf dhe ka merita për riformatimin e Vllaznisë. Eshtë një investim i klubit. Unë i lë trajnerët në qetësinë e tyre, por pikët nuk ishin. Plori ka bërë diçka të jashtëzakonshme pas largimit të Brdaric.
Entuziazmi dhe riformatimi i ri, kjo ishte arsyeja e ardhjes së Josës. Synojmë që lojtarët të rinovojnë, disa iu mbaron kontrata dhe duan të largohen. Do ketë afrime. Do i japim mbështetje Josës, për arritjen e objektivit.
Objektivi i parë ishte kampionati, nuk u arrit. Kemi finalen e Kupës. Mospjesëmarrja në Evropë nuk do na sillte të ardhura, unë e kam marrë parasysh këtë gjë. Kemi objektiva të përcaktuara. Me Josën kemi pasur bisedë shumë të çiltër, shumë të pastër dhe uroj që të kemi sukses”, tha mes të tjerash Xhaferi.