Në vijim të informacioneve të dhëna më herët dhe në respekt të së drejtës së publikut për tu informuar mbi çështjet me interes publik dhe posaçërisht proceset mbi kërkesat për regjistrim në regjistrin e partive politike për subjektin Partia Demokratike e Shqipërisë, ju njoftojmë sa më poshtë :
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me trup gjykues të përbërë nga gjyqtar Agron Zhukri, me vendimin nr.3, të datës 25.03.2022, ka vendosur: “1. Pranimin e kërkesës së palës kërkuese Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të P.D.SH. 2.Depozitimin e vendimit te Kuvendit Kombetar te PDSH duke rregjistruar ndryshimet përkatëse në regjistrin e partive politike:
Vendimin nr 1, dt.11.12.2021 me anekset bashkëlidhur Statutin e Partisë Demokratike, të Kuvendit Kombëtar të Partisë.
Vendimin nr 2, dt.11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Vendimin nr 3, dt.11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Vendimin nr 4, dt.11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Vendimin nr 5, dt.11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Vendimin nr 6, dt.11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Vendimin nr 7, dt.11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.
3.Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim sipas ligjit.
Në datë 04.04.2022, kundër këtij vendimi ka paraqitur ankim Partia Demokratike e Shqipërisë përfaqësuar nga z. Enkelejd Alibeaj, me të cilin është kërkuar : “Prishja e Vendimit Nr. 1346/222 Akti Nr. 3 Vendimi, datë 25.03.2022 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me gjyqtar Agron Zhukri duke vendosur pushimin e gjykimit ose kthimin e saj për shqyrtim në të njëjtën gjykatë por me tjetër trupë gjykuese.“
Ankimi i mësipërm u shqyrtua lidhur me pranueshmërinë e tij dhe me vendimin nr. 508 Regj. Them, datë 22.04.2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me gjyqtare Blerina Muca vendosi : “Pranimin e ankimit të palës ankuese, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Nënkryetari i saj z. Enkelejd Alibeaj, ndaj Vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në datë 16.05.2022, u depozituan në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë :
(i) Kundërankimi në emër të Partisë Demokratike, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit dhe me autorizim nga Z. Ivi Kaso, me të cilin është kërkuar mospranimi i ankimit të bërë nga Z. Enkelejd Alibeaj datë 04.04.2022;
(ii) Ankimi në emër të Partisë Demokratike, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit dhe me autorizim nga Z. Ivi Kaso, kundër vendimit nr. 508 Regj. Them, datë 22.04.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me të cilin kërkohet prishja e këtij vendimi, duke vendosur mospranimin e ankimit të palës ankuese Partia Demokratike e Shqipërisë, të përfaqësuar nga nënkryetari Z. Enkelejd Alibeaj, ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Sot në datë 17.05.2022 u depozitua pranë Gjykatës së Apelit Tiranë çështja e mësipërme dhe aktet e sipërcituara.
Shorti për caktimin e gjyqtarit relator do të hidhet po sot në orën 15:30, në një proces të hapur në sallën nr. 2 të gjykimeve.
Bashkëlidhur gjeni edhe Deklaratën e Gjykatës së Apelit Tiranë për median dhe publikun:
Gjykata e Apelit Tiranë, duke vlerësuar maksimalisht të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve, kryesisht ato të lirisë së shprehjes dhe mendimit, sjell në vëmendje të opinionit publik se ato duhet të ushtrohen në respekt të të drejtave po aq themelore, që konkurrojnë me to.
Gjykata është e vetëdijshme për rolin e partive politike në një shoqëri demokratike, ndaj çdo debat publik mbi organizimin, mbarëvajtjen dhe ushtrimin e rolit të tyre në zhvillimin e shoqërisë, mbart në vetvete çështje të interesit publik.
Nga ana tjetër, po aq i rëndësishëm në një shtet të së drejtës është respektimi nga cilido i pavarësisë, autoritetit, legjitimitetit të pushtetit gjyqësor, si dhe shmangia e deklarimeve apo sulmeve që cenojnë besimin e publikut te trupa gjyqësore.
Referuar deklaratave tashmë të bëra publike, që shkojnë përtej debatit të brendshëm partiak, apo edhe opinioneve të shfaqura lidhur me këto zhvillime, Gjykata e Apelit Tiranë, e përgjegjshme për funksionin që i është ngarkuar, konsideron të papranueshëm çdo reagim dhe deklarim paragjykues, sulmues apo denigrues që synon të ushtrojë ndikim në marrjen e një vendimi të caktuar mbi këto çështje.
Për një shtet të së drejtës, sulme të tilla ndaj gjyqtarëve dhe gjykatave, të cilat perceptohen si ndërhyrje e drejtpërdrejtë në veprimtarinë gjyqësore përpara marrjes së vendimeve prej tyre, janë të papranueshme ligjërisht dhe kushtetutshmërisht. Gjykata është dhe do të mbetet autoriteti i vetëm, që ka pushtetin dhe përgjegjësinë në dhënien e drejtësisë, ndaj si e tillë duhet respektuar.
Gjykata e Apelit Tiranë garanton cilindo se do të shqyrtojë me përgjegjshmëri, objektivitet, drejtësi dhe transparencë çështjet që i janë referuar për shqyrtim, duke mirëpritur çdo vërejtje konstruktive lidhur me veprimtarinë gjyqësore, por duke mos pranuar asnjë sulm denigrues ndaj saj, që lidhet drejtpërdrejtë me ushtrimin e funksionit dhe të misionit për të cilin është ngarkuar nga Kushtetuta. /Deklaratë për mediat e Gjykatës së Apelit Tiranë/