Ditën e sotme kryetemë e zhvillimeve është çeshtje “Simon Mirakaj”. Siç është bërë me dije, me këmbënguljen e Alibeajt, Kuvendi ka përjashtuar nga gara emrin e Simon Mirakaj për një pozicion në Autoritetin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit.
Shkak është bërë një firmë e vendosur nga Sali Berisha si deputet i Kuvendit, në mbështetje të kandidimit të Mirakajt, sigurisht, bashkë me 28 deputetë të tjerë siç e kërkon ligji.
Reagimet për këtë veprim të paprecedent ndaj një personi që konsiderohet si një nga simbolet e persekucionit komunist, siç është Simon Miraka, kanë qenë të shumta. Reagime ka patur edhe nga Shkodra, ku veçojmë atë të bërë publik në rrjete sociale nga Luigj Mila, drejtor i “Drejtësi& Paqe” por edhe ideator i vendosjes në Shkodër i memorialit të përjetëson viktimat e diktaturës komuniste në Shqipëri.
“Shekspiri do thoshte: “Vallë aq e brisht qenka dashuria sa xhelozia e thyen kaq lehtë!?”. E unë e them: aq e pafytyrë qenka politika sa të “vejë dorë” edhe mbi këtë burrë, emblemë e persekutimit dhe qëndresës kundër diktaturës komuniste?!
Turp tju vijë! Zoti Simon Mirakaj ke simpatinë dhe mbeshtetjen time dhe të të gjithë bashkëvuajtësve tonë të përbashkët.”, shkruan në publikimin e tij Mila.