Nëse të zënë me “vdekjen” për shkak të burrit nuk përben aq shumë lajm, por nëse të zënë duke tradhtuar është një lajm që mban në këmbë rrjetin e mediat me javë.
Para disa ditësh në Librazhd gruaja që po tradhëtonte burrin (kjo për fajin e gruas, burrit, të dashurit, prindërve të djalit etj.), mori një vëmëndje mediatike dhe u sollën mediat sikur na kanë zënë pikë e zezë kur këto raste ndodhin çdo ditë.
Pas kësaj ngjarje një grua që kishte ikur nga banesa se e dhunonte bashkëshorti, madje kishte e urdhër mbrojtje, u gjet e mbytur në një zonë periferike të Shkodrës.
Por ky rast ku kjo grua u kap në flagrancë me “vdekjen” nuk mori vëmëndjen e rrjeteve dhe emisioneve me peshë sepse nuk ishte rast banal si i pari, sepse nuk kishte pamje momentin duke dhënë shpirt siç patëm pamjet në shtrat.
E në të shumtën e rasteve viktimave u veshim “uniformë” paaftësie, duke thënë se janë me probleme mendore, depresoni etj. Kjo për të zvogëluar në maksimum peshën e ngjarjes duke i vrarë për të dytën herë.
Jemi një shoqëri ku ende nuk kemi kuptuar se na ka rrëshqitur trualli i të kuptuarit se çfarë është vlerë. Ajo çfarë është e rëndësishme për rrjetet e median nuk duhet të jete e rëndësishme për shoqërinë.
Informacioni është një gjë dhe e vërteta një tjetër gjë. Më shumë se kurrë informimi është kthyer në mall por me të drejtë nuk e kuptoni se ju duke klikuar apo shikuar e keni blerë atë mall por për ju paguan dikush tjetër. Banaliteti shet. /Nga Ardi HOTI, pedagog gazetarie/