Familja e efektivit Pëllumb Vukaj në Shkodër u zgjua në orët e para të mëngjesit të sotëm nga një shpërthim në tritol në murin e jashtëm të banesës së tyre.
Ngjarja ka ndodhur në orën 02:25 të mëngjesit ndërsa në banesë përveç efektivit kanë qenë edhe bashkëshortja dhe dy djemtë e tij. Shpërthimi është ndjerë në të gjithë zonën e fshatit Hot i Ri ku jeton efektivi i policisë.
Burime bëjnë me dije se efektivi ka deklaruar se ka dyshime se tritol mund të jetë vendosur për shkaqe që lidhen me detyrën e tij.
“Nuk e di kush mund të jenë autorët sepse nuk kam pasur konflikte ose kërcënime të drejtpërdrejta. Ajo që dyshoj është se mund të ketë ardhur për shkak të detyrës time”, ka deklaruar ai.
Pëllumb Vukaj punon prej 27 vitesh në policinë e shtetit dhe ka pasur në dorë detyra të ndryshme që nga aksionet e drogës, hetime për vrasje të ndodhura në Shkodër dhe ngjarje të tjera të rënda.
Dyshimet se policisë deri tani lidhen me operacionit anti drogë të finalizuara kohët e fundit që kanë çuar në pranga shumë persona.
Deri më tani autori i vendosjes së tritolit nuk është identifikuar dhe as bashkëpunëtorët e tij sepse mendohet se mund të kenë qenë më shumë se një person.