Qeveria shqiptare punon me urgjencë dhe në nevojë, pa patur asnjë strategji. Jemi në fillim të qershorit dhe deri sot janë depozituar 10 akte normative në Kuvend.
Në vitin 2021 ishin 36 akte normative dhe 2020, 38.
Cila është arsyeja që qeveria punon me akte normative, në një kohë që parlamenti vazhdon punën normalisht dhe nuk ka asnjë pengesë per shqyrtimin e projektligjeve?!
Akti normativ i sotëm si gjithë të tjerët vjen me urgjencë. Po cila është urgjenca, kur rritja e çmimeve të ushqimeve, ka filluar që në vjeshtën e vitit të kaluar dhe garantimi i rezervave 3-mujore të sigurisë është një detyrë e qeverisë, të cilën ia ngarkon subjekteve tregtare.
Me fillimin e sulmeve të Rusisë në Ukrainë, kryeministri në daljet e tij publike i terrorizoi shqiptarët, vendi u përfshi në panik për sigurinë e furnizimeve më grurë, duke qenë se importet e drithërave nga Rusia zënë rreth 46% të importeve totale.
Gjatë muajit mars importet nga Rusia u dyfishuan. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë muajit mars u importuan nga Rusia mbi 10 mijë ton grurë nga 5 mijë ton në marsin e vitit 2021. Importet e drithit nga Rusia, nuk ishin përfshirë në sanksione.
Shqipëria, një nga vendet më të varfëra të Europës, renditet si vendi, ku banorët e saj shpenzojnë më shumë për bukë dhe drithëra në raport me të ardhurat e tyre.
Shpenzimet nominale për bukë dhe drithëra si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) ishin 4.8% në vitin 2020, më të lartat në Europë.
Paniku i përhapur ndikoi në shitjet e artikujve ushqimor dhe krijoi mbingopjen e konsumatorit me produkte ushqimore. Shumë njësi tregtare dhe konsumatorë krijuan rezerva ushqimore. Shitjet në supermarkete u rritën nga 10 deri në 40%.
Ndërsa sot, sipas rrjeteve të supermarketeve më të mëdha në vend, kërkesa për mallrat e shportës është ulur.
Ato parashikojnë që shitjet të bien deri në 50% nga mbingopja e konsumatorit dhe për shkak të rritjes së çmimeve.
Në furrat e bukës, prodhimi është ulur 20% nga gatimi i bukës në shtëpi, sidomos në zonat rurale.
Konsumi i miellit është 40% më pak në raport me vitin e kaluar, për shkak të shtrenjtimit të çmimeve.
Cili është roli që po luajnë bordet e transparencës, përveçse po rrisin çmimet me miratim të qeverisë?
Çmimet e produkteve ushqimore janë rritur 20, 30 apo edhe deri në 48%, siç është produkti i vajit të lulediellit, i cili shitet edhe 400 lekë/litri.
Çmimi i bukës është rritur 3 herë radhazi. Shtrenjtimi i parë nisi në muajin shtator të vitit të kaluar, ku buka masive nga 70 lekë u rrit në 80 lekë. Në mesin e muajit mars, çmimi i bukës shënoi sërish rritje duke arritur në 100 lekë.
Në shumë bashki, qytete e fshatra, çmimi ka arritur në 120 lekë për shkak të shtrenjtimit të kostove të transportit të miellit nga karburanti.
Kulmi arriti dje me vendimin e Bordit, në caktimin e çmimit të naftws me 258 lekë.
Inflacioni sipas INSTAT për muajin maj arriti në 6.7% me një rritje 0.5 % në krahasim me muajin e kaluar. Krahasuar me muajin maj 2021, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin ‘Transporti’ me 21,7%, pasuar nga grupet ‘Ushqime dhe pije joalkoolike’ me 11,4 %,
Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit ‘vajra dhe yndyra’ u rritën me 29,1%, pasuar nga nëngrupet ‘bukë dhe drithëra’ me 18,6%, ‘qumësht, djathë dhe vezë’ me 18,4%, ‘sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira’ me 15,0%, ‘zarzavate përfshirë patatet’ me 13,0%, ‘mish’ me 7,8%, ‘peshk’ 7,2%.
Misioni i FMN gjatë datave 12–19 maj, i rekomandoi qeverisë që bordet për kontrollin e çmimeve, t’i zevendesojë me mbështetje për shtresat e varfëra dhe në nevojë, për t’i mbrojtur ata nga efektet e rritjes së çmimeve dhe njëkohësisht, të vazhdojnë përpjekjet për të forcuar sistemin e mbrojtjes sociale të vendit.
Qeveria shqiptare ka dhënë mbështetjen më të ulët financiare për shtresat në nevojë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto , vetëm 0.3 %, në krahasim me vendet e tjera të Rajonit.
Mali i Zi dha vetëm 0.2% të PBB-së,
Bosnja dha 0.6% të PBB- së,
Kosova dha 0.7% të PBB-së,
Serbia akordoi 2% të PBB- së,
Maqedonia e Veriut kishte paketën më të madhe me 3.6% të PBB, Maqedonia e Veriut, Serbia, aplikuan edhe përjashtime nga taksat, përveç subvencioneve dhe transfertave sociale.
Qeveritë, kudo në botë edhe në vendet më të zhvilluara të Europës, aplikuan lehtësi fiskale duke mbrojtur shtresat e varfëra.
Qeveria shqiptare refuzoi në mënyrë kategorike lehtësitë fiskale si për uljen e TVSH për mallrat e shportës, ashtu dhe për taksat që zënë 60% të çmimit të karburanteve.
Qytetarët shqiptar po drejtohen për furnizim me produkte bazë në vendet fqinje si Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut, ku çmimet e produkteve janë më të ulëta, si rrjedhojë e lehtësive fiskale të krijuara nga qeveritë e këtyre vendeve.
Nderkohë Bordi i transparencës vijon të mbajë të pandryshuar, që nga data 4 maj, çmimet e shitjes për artikujt miell, vaj luledielli, sheqer, oriz etj.
Në këtë kohë krize, qeveria po programon më shumë taksa sipas strategjisë së re fiskale 2022-2026, me ligjin e ri për tatimin mbi të ardhurat, vendosjen e tatimit progesiv tek profesionistët e vetëpunësuar, rikthim të taksave për biznesin e vogël e ndryshime të tjera fiskale.
Nga ndryshimet në aktin normativ për garancinë shtetërore, përfitojnë një numër i kufizuar biznesesh, sipas shifrave që na dha ministrja në Komisionin e Ekonomisë.
Janë 18 tregtarë që operojnë në artikullin e vajit, prej të cilëve 2-3, zotërojnë 90% të tregut të këtij artikulli, 10 tregtarë që operojnë në artikullin e grurit dhe miellit dhe 7-8 në artikujt sheqer dhe oriz.
Kjo tregon edhe njëherë përqëndrimin e gjithë importit dhe tregtisë në duart e disa personave, fuqinë monopol të tyre në treg dhe ndihmën që i jep shteti klientëve të tij, duke qenë edhe pjesë e Bordit të Transparencës.
Autoriteti i Konkurrencës e ka për detyrë të mbrojnë interesin publik në çdo kohë dhe me të gjitha instrumentet që u garanton ligji.
A mendoni se qeveria me këtë garanci, do të përmirësojë treguesit, kur të monitorohet nga Banka Botërore, ne lidhje me paketat e ndihmës për përballimin e krizës.?
Niveli i varfërisë në Shqipëri ka shkuar në 32.6 %, e fundit në rajon, krahasuar me Kosovën 23%, Malin e Zi 20%, Maqedoninë e Veriut 18% dhe me Serbinë 17%.
Hyrja në fuqi me 1 Prill e % të reja mbi tatimin mbi pagat, pavarësisht se u trumbetua me të madhe, 71% e punonjesve te administratës qendrore dhe lokale me paga nga 50 mijë deri 150 mijë lekë bruto, nuk përfituan as indeksim dhe as rritje të pagës, por edhe zbritje.
Besoj se edhe ne të gjithë në këtë sallë, e kemi vënë re uljen e pagës. Ku ishte mbështetja e qytetarëve, a por qëllimi ishte mbushja e arkës së qeverisë.
Shtrenjtimi i ndjeshëm i çmimeve, në një kohë që të ardhurat e tyre nuk po rriten, po i bën që shqiptarët të jenë më pesimistë se kurrë për situatën e tyre ekonomike familjare.
Të gjithë i kanë sytë nga emigrimi dhe ritmet e largimeve, që nuk po ndalen, po e plakin vendin dhe po thellojnë edhe më shumë varfërinë.
Kjo qeveri, nuk e ka patur dhe nuk e ka në planet e saj të jetë në krah të qytetarëve, sidomos shtresave në nevojë. Është një qeveri që ka monopolizuar çdo gjë në duart e pak oligarkëve që i sherbejnë asaj dhe që e mbështesin me para të grabitura nga buxheti i shqiptarëve që kjo qeveri të vjedhë votën e shqiptarëve për të sunduar.
I gjithë buxheti i shtetit është përqendruar tek PPP- të dhe askush nuk mendon se si të lehtësojë barrën e mijëra familjeve, që përveç halleve të përditshme të shtuara 9 vitet e fundit, duhet të përballojnë edhe rritjen e çmendur të çmimeve nga bordet që propaganda e qeverisë, i paraqiti si mekanizma në sherbim të qytetarëve.
Asnjëherë më shumë se sot nuk ka qenë emergjencë kombëtare që kjo qeveri të zhduket një orë e më parë. Vetëm kështu ky vend mund të marrë frymë lirisht, vetëm kështu mijëra familje mund të kalojnë nga mbijetesa e vështirë, në jetesë normale. /Fjala e mbajtur në Kuvend ditën e sotme nga Emilia KOLIQI, deputete e Shkodrës/