SPAK kërkon konfiskimin e apartamentit që është në përdorim nga ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, raporton News24.
Bazuar në ligjin Antimafia, SPAK kërkon sekuestrimin e apartamentit që rezulton në emër të vëllait të tij Bashkim Dedja.
Sipas SPAK, vëllai i ish kryetarit të Kushtetueses nuk ka pasur mundësi për blerjen e atij apartamenti, që referuar dëshmive, përdorej nga Bashkim Dedja.
Ish-gjyqtari Bashkim Dedja akuzohet se nuk ka deklaruar dhe ka fshehur një apartament 60 m2, i ndodhur në zonën Kryemedhenj, Njësia Administrative Golem Kavajë.
Për këtë apartament, SPAK kërkoi sekuestrimin në vitin 2021, por GJKKO nuk e pranoi dhe kërkoi plotësimin e hetimeve nga Prokuroria.
Ish kreu i i Gjykatës Kushtetuese është shkarkuar nga detyra pas procesit të vetingut.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 10 maj 2022, kaloi për gjykim dosjen ndaj ish kreut të Kushtetueses Bashkim Dedja, i cili do të gjykohet për fshehje pasurie dhe deklarim te rreme.