Diten e djeshme eshte ndare nga jeta ne moshen 76 vjeçare një nga volejbollistet e shquara të Vllaznisë, Partizanit dhe ekipit tonë kombëtar, Lumnije Pelinku (Morina). Padyshim që kjo është një humbje e madhe jo vetëm për familjen e saj, por edhe për komunitetin e këtij sporti sepse ka qenë një nga emblemat e tij.
Lumnija ka lindur në Shkodër më 22 korrik të vitit 1945 dhe do të lidhej me sportin e volejbollit që në moshë të vogël, padyshim e ndikuar edhe nga i vëllai, ish- volejbollisti dhe ish- trajneri i Vllaznisë Faik Pelinku.
Ajo do të spikaste shumë shpejt për vlerat e saj duke u bërë pjesë e formacionit të parë të Vllaznisë që në moshë të vogël duke luajtur përkrah emrave të tillë të shquar të volejbollit shkodran të atyre viteve si Lina Sokoli, Liza Prendushi, Tereza Marubi etj.
Duke qenë pjesë e këtij ekipi, Lumnije Pelinku do të shpallej kampion në vitin 1950 me Vllazninë dhe po ashtu do të fitonte dy Kupa të Republikës rradhazi në vitet 1962 dhe 1963.
Më pas do të transferohej në kryeqytet, aty ku do të bëhej pjesë e ekipit të Partizanit me të cilin do të vazhdonte sukseset e saj. Lumnija do të bëhej edhe pjesë e ekipit të 17 Nëntorit që në sezonin 1966-67 mori pjesë në Kupën e Kampioneve të Europës duke zhvilluar ndeshje perfekte dhe duke e ndihmuar këtë skuadër të fitonte edhe ndaj një ekipi si Fenerbahcen me rezultatet 3-0 dhe 3-2.
Ndërkohë për shumë vite me rradhë, Lumnije Pelinku ka qenë edhe një nga pikat më të forta të kombëtares shqiptare duke qenë vazhdimisht në 6-shen bazë të saj. Ky është një profil i shkurtër i kësaj sportisteje të talentuar, të cilës njerëzit e saj të afërt do t’i japin lamtumirën ë orën 11.00 në Tiranë, kur do ta përcjellin për në banesën e fundit.
I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjesve Pelinku dhe Morina për humbjen e njeriut të tyre të dashur, por edhe komunitetit të volejbollit, për humbjen e një pjestareje dinjitoze të tij. /Nga Gjergj KOLA/