Janë publikuar pamjet e mbërritjes në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev të kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe homologut të tij të Malit të Zi, Dritan Abazovic.
Ky i fundit ka publikuar në rrjete sociale foto dhe video nga momentet kur kanë mbërritur, të shoqëruar nga forca të shumta sigurie në Kiev.
“Mbërritëm në Kiev me Edi Rama për të ofruar mbështetje të sinqertë Ukrainës dhe qytetarëve të saj në mbrojtjen e të drejtës për liri. Mali i Zi do të vazhdojë të ndihmojë Ukrainën në këtë kohë të vështirë dhe katastrofë humanitare”, shkruan Abazovic në rrjete sociale.
Siç duket nga pamjet, Rama është i shoqëruar nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
Vizita e dy kryeministrave po bëhet nën kushte të rrepta sigurie për shkak të situatës së nderë nga pushtimi rus. Rama dhe Abazoviç do të kenë takim me homologun Shmyhal dhe kreun e Bashkisë së Kievit, Klitschko e më pas me Presidentin e Ukrainës, Zelensky.