Mbrëmjen e djeshme Shkodra u trondit nga një vrasje me armë zjarri. Shënjestra ishte një 74-vjeçar. Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Stom- Golemit, ndërkohë që viktimë e armës së zjarrit ishte Lulash Qepuri.
Mësohet se autori ka ardhur në këmbë dhe ka hapur zjarr ndaj 74-vjeçarit, po ashtu edhe ky i fundit ka qëlluar me automatik. Nga breshëria e armëve, fatkeqësisht Qepuri ka ndërruar jetë.
Fill pas krimit të rëndë, ka qenë i biri i viktimës ai që ka njoftuar policinë duke thënë se: “Hajde se më kanë vrarë babanë”, ndërkohë që ka dhënë dëshminë e tij para oficerëve. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes u gjet një armë shotgun që mendohet se është përdorur nga Qepuri.
Policia po heton për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Viktima e atentatit të mbrëmshëm në Shkodër, Lulash Qepuri, rezulton emër i njohur për policinë.
Në tetor 2011, atëherë 63 vjeç ai u arrestua nga policia pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin dhe në banesën e tij ngjitur me lokalin, janë gjetur dhe sekuestruar armë zjarri, municione luftarake si dhe fara të bimës narkotike kanabis sativa.
Policia gjatë asaj kohe i sekuestroi 1 armë zjarri Automatik mod.56, 1 armë zjarri tip Revolver shtatëshe, 262 copë fishekë të modeleve të ndryshme, fitila zjarr përcjellës, 111 copë kapsolla detonatorë, si dhe një qese prej 55 gram me fara të bimëve narkotike kanabis sativa.