Siç ishte paralajmëruar, ditën e enjte (dje) ora 19.00, Partia Socialiste Shkodër ka organizuar degjesën me kandidatët për kryetar të degës lokale. Në këtë aktivitet, nuk janë lejuar mediat ndërsa ai mund të jetë regjistruar dhe të transmetohet në mediat sociale në ditët në vijim, me shumë mundësi, për të kaluar procesin e montazhit për “të prerë” ndonjë gjë që nuk duhet të dalë në publik.
Nuk është e qartë se përse nuk janë lejuar mediat në një event me rëndësi jo vetëm për PS por edhe qytetin teksa kjo forcë qeverisëse udhëheq vendin prej 9 vitesh, rrjedhimisht edhe Shkodrën në kuadër të drejtorive rajonale të paktën.
ShkodraWeb ka mundur të sigurojë një pjesë të fjalës së Arbis Vjerdha, njëri nga kandidatët në garë. Siç dihet, ai ka qenë mjaft kritik me PS Shkodër, ndërsa edhe u përjashtua fillimisht nga gara për tu rikthyer sërish.
Zyrtarisht, janë 9 emra që garojnë për postin e kryetarit të PS- së, teksa nuk është e qartë nëse do të ketë emërime apo zgjedhje. Po ashtu, ekziston ideja që degët të bashkëdrejtohen nga bashkëkryetarë, një burrë dhe një zonjë.
Për të njohur emrin/at duhet të presim përmbylljen e procesit, për të patur më në fund edhe Shkodra një kryetar PS- je jo të komanduar, siç ka ndodhur deri më sot.