Kryetari i PD, Sali Berisha, tha në konferencën për shtyp se në vjeshtë do të nisin primaret për kandidaturat e zgjedhjeve lokale. Ai tha se gjithashtu protestat janë në rendin e ditës.
“Vjeshta e parë do jetë periudha e fillimit të primareve për kandidaturat tona. Unë në një takim që zhvillova me kryetarët e degëve, kërkova një veprimtari shumëplanëshe, sepse PD nuk mund të qëndrojë në një lloj veprimtarie. Koha e thërret atë të ketë një aktivitet shumëplanësh.
Protestat janë dhe mbeten në rendin e ditës të kësaj partie. Kjo jashtë çdo lloj dyshimi. PD duhet të shfrytëzojë çdo lloj potenciali për objektivat e saj,” tha Berisha.
Sipas tij, vendi është në krizë, nga e cila po përfiton Edi Rama.
“Nuk janë çmime tregu këto, janë çmime të shushunjave të importuara nga koha e komunizmit, që asgjësojnë institucionet ligjore të ngarkuara për t’i dhënë përgjigje spekulimet. Kjo sepse Edi Rama me njerëzit e tij janë përfituesit kryesorë të rritjes së çmimeve,” tha Berisha.