Vllaznia do të përballet ndaj Craiovas në turin e dytë të Conference League. Një rival i fortë për shkodranët që sikur të mos i mjaftonte diferenca mes buxheteve, duhet të përballojë edhe inatin e Laçit. Për shkakun se kurbinasit e eliminuan Craiovan nga Europa në sezonin e shkuar, vëmendja e rumunëve do të jetë më e madhe, teksa jo vetëm që nuk mund të bëhet fjalë për nënvlerësim, por dëshira është e madhe për “hakmarrje”. Kjo nuk është panorama jonë, por e vetë mediave sportive në Rumani nisur edhe nga fjalët e presidentit të Craiovas.
“Sport Ekspres” ka kontaktuar Enriko Papën, që është pjesë e Botoshanit dhe e njeh më së miri kundërshtarin e Vllaznisë. Sa është realisht diferenca mes këtyre dy ekipeve dhe cilat janë pagesat e klubit rival të shkodranëve? “Rroga mesatare e Craiovas varion nga 15-20 mijë euro, por ka edhe lojtarë që paguhen deri në 40 mijë euro në muaj, siç është Koljic. Ata janë shumë të mërzitur nga viti i kalur pasi i eliminoj Laçin dhe humbën shumë para”, tha Papa.
Kapiteni i Botoshanit i tregon Vllaznisë në intervistën për “Sport Ekspres” edhe pikën e dobët të rivalit. “Besoj se diferenca e kualitetit të ekipeve dhe buxhetit të klubeve është shumë e madhe. Por në sport nuk fiton gjithmonë ekipi që ka më shumë kualitet ose para, por ai që e dëshiron fitoren më shumë. Pika më e dobët e Craiovas është mbrojtja. Ka shumë cilësi në sulm, por ka probleme të mëdha në mbrojtje. Madje edhe transferimet që po bën tani, janë pikërisht në këtë repart”, u shpreh lojtari i Botoshanit.
Në Rumani ka një krizë të madhe të rezultateve dhe mediat po tregohen shumë të ashpra. Jo vetëm që ekipet e tyre nuk po korrin suksese në Europë, por njëkohësisht edhe Kombëtarja është në një prej gjendjeve më skandaloze të viteve të fundit. Teksa e pyesim Enrikon për çfarë po ndodh realisht me futbollin rumun, na tregon edhe rregullin “e pazakontë” që po e dëmton disi nivelin.
“Po është e drejtë, këtu është një problem i madh si në Kombëtare dhe në ekipet që nuk arrijnë dot në grupet e Europë. Në Kombëtare nuk thirren lojtarët më në formë dhe më të mirë, por thirren emrat e dikurshëm. Janë po të njëjtit lojtarë, si ndodh edhe në disa Kombëtare të tjera, pa i dhënë mundësinë atyre që janë më në formë që të kenë shansin e merituar.
Është bërë një problem i madh dhe në media flitet gjatë gjithë kohës vetëm për këtë gjë. Ndërkohë ekipet rumune nuk ecin shumë për shkakun e një rregulli të vendosur. Këtu duhet të luajë një futbollist deri në moshën 21-vjeç me patjetër 90 minuta të plota. Kështu kualiteti humbet shumë nga kjo gjë, pasi nuk ka shumë lojtarë të mirë poshtë moshës 21-vjeç që të kenë kualitet dhe të përballojnë ndeshjen e plotë”, përfundoi Papa. /Marrë nga Sport Ekpres/