Herald Marku pritej të firmoste dje pasdite me Vllazninë, por diçka e tillë nuk ndodhi as në ditën kur klubi i Partizanit njoftoi prishjen e kontratës me mesfushorin.
“FK Partizani njofton përfundimin e bashkëpunimit me Herald Markun. Mesfushori dhe klubi kanë vendosur të ndërpresin me mirëkuptim kontratën, duke i dhënë mundësi Markut jetë një lojtar i lirë. FK Partizani e falënderon për kontributin e dhënë me fanellën e kuqe, duke i uruar njëkohësisht suksese në karrierën e tij sportive”, citohej në njoftimin e klubit të kuq.
Por çfarë ka ndodhur të martën që 26-vjeçari nuk hodhi firmën nën kontratë me Vllazninë dhe të prezantohej nga klubi?
“Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta se Marku ka kërkuar nga klubi shkodran të korrigjojë disa pika të kontratës, pasi nuk mund t’i pranonte ashtu si i kishte përcaktuar Vllaznia.
Bëhet fjalë për një marrëveshje 2-vjeçare, por që detajet teknike dhe disa klauzola e mbajnë peng për momentin firmën.
Gjithsesi, sot pritet që palët të formalizojnë gjithçka, duke shmangur surprizat e momenteve të fundit, me lojtarin që do t’i bashkohet ekipit gjatë rrugëtimit drejt Austrisë për minifazën përgatitore.