Shkollat e Riedukimit kanë qenë një mekanizëm që diktatura komuniste kishte ngritur për miturit, moshat nga 14- 18 vjeç dhe që kishin “shfaqje të huaja”. Të rinjve është e vështirë tu saqrohet ky koncept, siç edhe ai i “shfaqjeve të huaja”. Konsideroheshin të tilla ndjekje e modës përendimore (pantallonat e gjëra shumë në fund apo të ngjeshura për trup, këmishat me jaka të larta, minifundet etj.), mbajtja e flokëve të gjaja, basetave, mjekrës etj.
Shkollat e Riedukimit ishin një lloj burgu për të miturit, në disa raste edhe deri në moshën 20 vjeç. Zakonisht, ato krijoheshin me vendimit të Presidiumit të Kuvendit Popullor të kohës. Në pjesën dërrmuese të rasteve, për shkak të kushteve dhe trajtimit nga punonjësit, nga Shkollat e Edukimit nuk dilej i riedukuar. Masivisht, ata që futeshin në një shkollë të tillë, ktheheshin në kontigjent të krimit ordiner apo politik, sipas përcaktimeve të sistemit diktatorial.
Sot, natyrshëm nuk ka Shkolla Riedukimi apo korrektimi. Sistemi demokratik, ka fshirë nga faqja e dheut koncepte të tipit “shfaqje të huaja”. Por kjo ide, është rikthyer orët e fundit nga kryeministri Edi Rama. Pas një pyetjeje jo për të personalisht por ministren Olta Xhaçka, Rama ka dërguar për riedukim 3 mujor gazetarin Klevi Muka. E thënë ndryshe, për tre muaj, gazetari është “non grata” në konferencat për shtyp të kryeministrit Edi Rama.
Nuk është e para herë, sipas gjasave as e fundit, që Rama humb durimin me gazetarët. E humb deri në atë pikë, sa njëra prej penave më të forta dhe shpotitëse të 32 viteve të fundit në Shqipëri, ka harruar edhe aksiomon se “nuk ka pyetje të keqe por përgjigje të keqe”. Shumëkush e merr edhe me humor këtë vendim riedukimi të Ramës për gazetarin e radhës. Në fakt, është mjaft e rëndë.
Edi Rama nuk mund të zgjedhë dot kundërshtarët politikë që ka apo do të ketë përballë. Ai nuk mund të zgjedhë as gazetarët që mediat e redaksitë dërgojnë në konferencat e tij për shtyp. Rama nuk mund të imponojë as pyetjet, qofshin ato edhe të papërshtatshme për të apo ministrat e tij. Edi Rama nuk mund të përjashtojë nga konferencat e tij për shtyp gazetarët, aq më pak duke i kujtuar konceptin e “riedukimit”. Aq më shul, kryeministri i një vendi që aspiron të futet në BE.
Si “pushtet i katërt”, teorikisht i pavarur, media duhet të reagojë. Nëse nuk reagojnë ato, duhet të reagojnë gazetarët. Nuk janë reagim 20 rreshta deklarata të shoqatave të ndryshme. Nuk janë reagime as postimet solidarizuese të gazetarëve në rrjete sociale. Zgjidhja e vetme, me kosto, është bojkoti i aktiviteteve të kryeministrit të vendit. Si hap i dytë, avancimi me idenë e ligjit të “Urdhri i Gazetarit”, si mekanizëm vetërregullues i gazetarëve, njëkohësisht, mbrojtës i profesionit të tyre.
Shikoni pak Dhomën Kombëtare të Avokatëve këto javë, kategoritë e tjera të njohura me ligje. Janë që të gjitha më të mbrojtura, më lehtësisht të organizueshme edhe përballë kryeministrit apo shtetit. Është një temë e kahershme, të cilën që nga 2005- a e kam ngritur personalisht, edhe pse ka rënë në veshë të shurdhër deri tani. Me gjasë, kështu do të vazhdojë e arsyet kuptohen, gjenden në binomin pronarë mediash- pushtetarë të radhës.
Nëse nuk avancohet në këtë drejtim, kam një propozim konkret për kryeministrin Rama. Asgjë nuk e pengon të hapë një Shkollë Riedukimi për gazetarët. Me shumë mundësi, një pjesë jo e vogël e gazetarëve do ta frekuentonin me dëshirë, mbase edhe me sugjerimin e pronarëve të mediave. Një Shkollë Riedukimi për gazetarë…?! Pse jo! Gradualisht po rikthehemi në parametrat e para 1990- ës! /Nga Blerti DELIJA/