Të dashur miq, ju që më ndiqni nga afër dhe nga larg, ju që më mbështesni e më inspironi ne çdo moment të aktivitetit tim! Dua të ndaj me ju një të vërtetë të madhe që me shumë dhimbje e vërtetova duke vendosur një “bast” të madh me jetën time.
Shqiptaria ka pasur e ka prodhuar vazhdimisht jo vetëm artistë, njerëz të pasjonuar dhe talente të kalibrit ndërkombëtar, por edhe mendimtarë e koka, shkencëtarë e sportistë të shquar.
Kombit tonë sot nuk i mungojnë vlerat, as mendjet… Kombit tonë i mungon më shumë së kurrë “zemra”! Kur nënës i merr bijtë, i ke tharë shpirtin, e njësoj ky KOMB po thahet nga eksodi i bijve më të vyer. Bota po na merr sot, si dhe dje, si dhe ndër shekuj, po zgjedh e merr për vete më të mirët ndër ne…duke na tharë shpirtin si komb!
Të dashur bashkatdhetarë, unë si dhe shumë prej jush i’ u dhashë tash e 10 vjet botës për mundësitë që më ofroi. Këndova, krijova e jetova me të tjera gjuhë e vise, në të tjera skena, në të tjerë qiej!!!
E sot pas kaq vitesh me mundësi të rralla që m’ u dhanë anëkënd botës, vlerësime të arta, respektin dhe bashkëpunimin e “peshave të rënda” të skenës dhe artit botëror, vendosa për vete, për ju, për ne, të kthehem në votrën teme, në token më të embël, në vendin ku e shtrenjta nanë më lindi, ku zemra rrahu fort në këngën e parë dhe atë të fundit, ku lashë shpirtin dhe ëndrrën më të bukur që më dhatë të gjithë ju bashkë.
E unë do kthehem tash përgjithmonë! Të këndoj për këtë vend, ma t’ bukrin dhe e qiell, ma t’ bukrat male, fusha e dete, do këndoj për shqiptarinë këtu, sepse këtu me këndon zemra, këtu ma do shpirti me ken!!!
Ju falenderoj që më ndiqni, dhe ju ftoj në projektet e aktivitetin tim artistik në vijim! Zoti ju bekoftë kudo që jeni! /Publikuar në Facebook nga Frederik NDOCI/