Sot mbushen plot 5 vite nga artikulli i parë, publikuar në hapësirën e pamatë të internetit. ShkodraWeb nisi rrugëtimin e vet me 14 korrik 2017, duke synuar të jetë një burim më shumë për informim por edhe argëtim. Brenda pak javëve, ishim të pranishëm në të gjitha rrjetet kryesore sociale, teksa sot jemi një realitet i pamohueshëm për shqiptarët kudo ku ata jetojnë e punojnë.
Nuk na pëlqejnë shumë statistikat por nuk mund të mos evidentojmë se sot jemi një nga portalet më të ndjekura shqiptare, brenda e jashtë vendit dhe absolutisht më i klikuari në hapësirën gjeografike nga Tirana e lart. Nuk mund të mos evidentojmë 11.772.214 klikimet e marra, as edhe 9.011.143 sesionet e hapura në www.shkodraweb.com. Të gjitha këto, të konfirmuara nga Google përmes sistemeve të monitorimit global.
Asgjë nuk e kemi arritur vetëm. Përveç përkushtimit, profesionalizmit dhe seriozitetit që i kemi patur dhe i kemi “busulla orientimi”, suksesi ynë ka një “çelës”: Mbështetja e pakursyer e shqiptarëve, kudo ku ata ndodhen. Ju jemi shumë mirënjohës, ju falenderojmë me zemër dhe ju sigurojmë se parimi ynë “E Verteta nuk negociohet sepse e Verteta të bën të lirë”, do të forcohet edhe në vitet në vijim.
Për të qenë të sinqertë, hapi ynë i parë në 2017- ën, ishte një provë për të parë sa do të ecnim në botën e stërmadhe të internetit. Nuk do të ishte çudi të dështonim, ashtu siç edhe shumë të tjerë para e pas ditëlindjes tonë. Por këto vite treguan se ShkodraWeb nuk ishte rastësisht, emri i përzgjedhur dhe misioni që i vumë vetes, nuk ishte i rastësishëm.
Sot, në këtë kapërcyell të rëndësishëm, falenderojmë publikisht të gjithë ata që ndihmuan në rritjen dhe rrugëtimin tonë. Janë qindra ndjekës e lexues, raportues, sugjerues e kritikues që na kanë dhënë një ndihmë të çmuar. Falenderojmë të gjithë kolegët, portalet e tjera për bashkëpunimin dhe mbështetjen reciproke. ShkodraWeb vazhdon… Edhe pas 5 viteve! Ky është lajmi i mirë!