Goli i Mentor Mazrekajt jep fitoren dhe kualifikimin Laçit ndaj malazezëve të Iskras. Pas barazimit 0-0 në “Elbasan Arena”, bardhezinjtë e Shpëtim Duros arritën të fitonin në ndeshjen e luajtur në Podgoricë, duke siguruar kalimin në raundin e dytë të Conference League.
Ashtu si në ndeshjen e parë, Laçi ishte më këmbëngulës, dominoi dhe u shpërblye, duke vijuar paraqitjet pozitive në arenën ndërkombëtare. Minutat e para të ndeshjes ishin të ekuilibruara me kurbinasit më kërkues, por në anën tjetër dhe vendasit tentuan që të lënë shenjë, por pa e vënë në rrezik serioz portierin Dajsinani.
Në të 19-ën u regjistrua episodi që bëri diferencën, me Mentor Mazrekajn që tregoi klasin e tij. Kapiteni i nënkampionëve të Shqipërisë, ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi që nuk u devijua dot nga askush, me topin që u ndal në trekëndëshin e portës së Iskrës.
Laçi në avantazh, dhe gjithçka u bë me e lehtë për skuadrën kurbinase. Në vijim e deri në fund, bardhezinjtë humbën disa raste të pastra. Adeleke dhe Guindo ishin rrezik potencial në kundërsulme, megjithatë pa arritur të gjenin rrugën e rrjetës.
Pjesë e dytë kishte të njëjtën fytyrë si e para, me Laçin që menaxhoi mjaft mirë, duke marrë rezultatin që i mjaftoi për të marrë kualifikimin në raundin e dytë. Shumë raste të pa konkretizuara nga ekipi ynë, por në fund pati festë shqiptare në Podgoricë nga tifozët laçianë, të cilët shijuan një mbrëmje të bukur e plot emocione.
Hera e katërt në pesë vitet e fundit që kurbinasit arrijnë që të kalojnë minimalisht një tur, duke dëshmuar se në Europë e kanë recetën e suksesit. Kundërshtarët e radhës për Laçin do të jenë moldavët e Petrocub, të cilët eliminuan maltezët e Florianas me rezultatin e përgjithshëm 1-0.