Pas më shumë se 8 orësh, ish-ministri i Shëndetësisë ka dalë nga SPAK ku dëshmoi mbi hetimin e nisur për konçensionin e sterilizimit. Ai u ndal para mediave ku deklaroi se ishte thirrur si person që kishte dijeni për tenderin e sterilizimit, por nuk pranoi që të jepte të tjera detaje.
Ndër të tjera, Beqja u shpreh se nuk i druhej përgjegjësisë penale, ndërkohë që nuk pranoi të përgjigjej në lidhje me materialet e mundshme që iu ka dorëzuar prokurorëve.
Me çantë shpine, i pa shoqëruar, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja mbërriti në Prokurorinë e Posaçme mëngjesin e sotëm. Beqja u mor në pyetje për koncesionin e sterilizimit. Kjo është hera e parë që ish-ministri Beqja, aktualisht ish- deputet i PS pyetet nga SPAK.
Për koncesionin e sterilizimit është pyetur dy herë ish-zv.ministri Klodian Rjepaj dhe anëtarët e koncesionit
Gjatë kohës që Beqja drejtoi Ministrinë e Shëndetësisë, dha me koncesion shërbimin e sterilizimit. Ky koncesion prej 100 mln eurosh është fituar nga “Sani Service” e biznesmenit Ilir Rrapaj, i cili sipas të dhënave rezulton mik i Beqjas.
Në vitin e parë të kontratës nga buxheti i shtetit janë paguar 17 mln euro, nga 12 që parashikonte kontrata. Koncesioni i sterilizimit është në hetim prej 3 vitesh.