Sali Berisha inkasoi sot “non grata”- n e dytë. Pas Shteteve të Bashkuara, edhe Britania e Madhe- historikisht aleat i afërt i SHBA- ve dhe sot jashtë Bashkimit Europian, i ndaloi hyrjen në territorin e saj ish- kryeministrit. Jam i bindur se asnjë politikan në këto 32 vite nuk është aq i pasur sa të blejë të shkuarën e tij apo që nuk ka një skelet në dollapin e vet.
Nuk e paragjykoj absolutisht që Berisha, Meta, Nano por edhe Rama, të kenë mëkate në aktivitetin e tyre publiko- politik gjatë viteve të pushtetit. Por po ashtu, bashkëndaj mendimin e shprehur nga kryeministri Rama se jo të gjithë politikanët janë njësoj apo duhen futur në një thes. Përgjegjësia është individuale dhe “vulën” e vendos vetëm sistemi i drejtësisë përmes gjykimit në të gjitha shkallët e tij.
Prej më shumë se një viti, Berisha është në “syrin e ciklonit”. Ai, si një boksier në ringun e politikës, po merr goditje. Madje, jo nga kundërshtari që ka në ringun politik, por nga jashtë këtij ringu. E nisën SHBA- të, e vijoi Britania e madhe dhe nuk është çudi që goditjet ndaj tij të vijojnë nga vende të ndryshme të BE- së apo edhe nga institucione komunitare të Brukselit.
Edhe me rastin e “non grata”- s së dytë, Berisha vijon të kërkojë fakte e prova që vertetojnë legjitimitetin të paktën moral të masave kufizuese ndaj tij. Britania e madhe, i përmendi një personazh, Damir Fazlic, një serbo- boshnjak, biznesmen që edhe ka pozuar në mbledhje të rëndësishme me Berishën gjatë kohës që ky ishte në udhëheqje të vendit. Sërish, Berisha i konsideron shpifje duke kujtuar se Fazlic është hetuar nga një ish- prokurore jo mike e tij si Ina Rama, për një çeshtje toke të blerë privatisht si biznesmen dhe asgjë nuk është vertetuar nga drejtësia shqiptare. Madje, Berisha mbështet idenë se Fazlic ka vijuar të investojë edhe pas vitit 2013 kur në qeverisje të vendit është Edi Rama.
Është e kotë të sillet në vëmendje se çdo “non grata” aktuale apo edhe që mund të vijë, vështirëson pozitën e Berishës por edhe të PD- së, në krye të së cilës është tashmë ish- presidenti i vendit. Nga ana tjetër, çdo “non grata” është një bonus për Ramën dhe i jep frymëmarrje qeverisjes së tij, e cila për hir të së vertetës dhe me gjuhën edhe të “drejtësisë së re”, nuk është se nuk fsheh skelete në dollapin e tij.
Siç e ka deklaruar edhe vetë kryeministri, SPAK ka prej kohësh “lëndë të parë” zyrtarë e ish- zyrtarë të të gjitha niveleve të qeverisjes së tij nga 2013- a. Nisu nga kjo, Rama ka kërkuar publikisht që SPAK të nisë goditjen edhe nga krahu tjetër, aty ku sot në krye është Sali Berisha. Deri në këto momente të paktën, SPAK nuk ka njoftuar asnjë hetim për ish- kryeministrin Berisha. Kjo, edhe pasi ai nuk po kursen SKAP- en siç e cilëson ai SPAK- un dhe deri tani, nuk ka indicie që Berisha e kontrollon atë.
Për ti shërbyer PD- së, ndoshta Berisha duhet të mendojë tërheqjen e përkohshme nga drejtimi i partisë më të madhe të opozitës, rrejedhimisht edhe nga lidershipi i vetë opozitës. Beteja e tij me “non grata”- t duhet të jetë personale, pa implikuar PD- në. Nga ana tjetër, Grupi Parlamentar i PD- së, duhet të gjejë guximin dhe të bëjë atë që nuk e bëri në kohën kur në krye ishte Lulzim Basha: Të mblidhet, të vetëmblidhet dhe të vendosë me votë të fshehtë: Berisha të jetë apo të mos jetë pjesë e tij.
Përtej të gjitha këtyre, përtej mëkateve të verteta, të hamendësuara apo që duhen provuar, një pyetje është normale në këto rrethana: Çfarë fiton konkretisht Shqipëria e shqiptarët nga mënjanimi i plotë i Berishës nga politika aktive? Ose, çfarë humbet Shqipëria e shqiptarët nga qendrimi në krye të opozitës i Sali Berishës? Në të dy përgjigjet, ka një emërues të përbashkët: Fiton Edi Rama, dobësohet kundërshtari i tij hipotetik për qeverisjen e vendit, shtohet mundësia e një mandati të katërt për kryeministrin aktual.
Qendrimi ose jo i Berishës në politikën aktive apo në krye të PD- së, shton apo pakëson varfërinë e shqiptarëve, ul apo ngre çmimin e karburanteve, të bukës, perimeve e bulmetrave, pushon apo nxit luftën në Ukrainë, nxit apo frenon shpopullimin e Shqipërisë, shton apo ul numrin e të infektuarve nga Covid- 19, pengon apo nxit ecjen e vendit drejt BE- së, forcon apo dobëson opozitën në këtë vend, shton apo pakëson sipërfaqen e kanabisit të prodhuar në vend apo tonëve të kokainës që hyjnë në Shqipëri…etj., etj., etj.
Nëse ka një pyetje, nga ajo “1 milion dollarëshe” është: Pse kërkohet me çdo kusht largimi nga ringu politik i një kundërshtari “të dobët” siç mund të konsiderohet tashmë me dy “non grata” Sali Berisha? Aq më shumë kur goditjet po vijnë edhe nga jashtë ringut politik shqiptar. Apo janë çeshtje që tejkalojnë interesat e ngushta të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe Berisha është pengesë, ndoshta pengesa e fundit… /Nga Blerti DELIJA/