Policët tanë të ndershëm nëse nuk i vret krimi i rrugës, i “neutralizon” krimi organizuar, kurse paaftësia e të tjerëve i çon për “dhjamë qeni”.
Mbrëmë në mesnatë ndërsa udhëtoja nga aeroporti “Paolo Borselino” në Palermo me drejtim për në Campofelice di Rocella, shoferi më tregoi një memorial të ndriçuar me drita të fuqishme.
– Vendi i vrasjes së Borselinos-më tha.
– Kush nuk ka dëgjuar për të, është idhull dhe në Shqipëri – i thashë…
Ndërkohë në celular më vjen një njoftim se është arrestuar Saimir Rustemi. Për momentin mu duk si ndonjë shaka e keqe, pikërisht kur ende po kundroja së largu Memorialin. Por duke qënë i ndërgjegjshëm se në jo pak raste goditen padrejtësisht ata që janë më korrektët, ata që kanë sakrifikuar familjen, madje edhe jetën, u ndjeva keq.
Sa shpejt i hedhim në kosh sakrificat e policëve. Aq shpejt policit nuk i gjuan me gurë as turma. A mund të jetë mëkatar Saimir Rustemi? E them me bindje të plotë se nuk e besoj. Për shkak të karrirës së gjatë policore e sidomos në Akademi e Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë e Speciale kur dëgjoj fjalë apo lajme të këqia për dikë vetvetiu mendja ime skanon çdo shenjë.
Saimir Rustemin e kam njohur prej vitesh dhe nuk kam dalluar tek ai as një gjurmë vesi për të cilin sot ta shihja si burim i së keqes. Mëkati i vetëm mund të jetë se ka firmosur në mirëbesim ndonjë shkresë duke qenë i rraskapitur nga shërbimet e shumta në Shkodër e me mëndjen te familja, te fëmijët që e prisnin me mall.
Ai që ka shërbyer në Shkodër qoftë një ditë, e di mirë se aty mbi gjithshka populli vlerëson integritetin, imazhin, ndershmërinë dhe kurajon. Dhe Saimir Rustemi kurrë nuk e ka përdorur postin të veçuar nga integriteti i lartë. Uroj që nesër drejtësia të japë verdiktin e saj me po aq integritet sa Saimir Rustemi.
Qoftë rasti i fundit kur mbi një koleg të hidhet baltë padrejtësisht ose të gëzojmë që dikujt, diku i rrëshqiti këmba për ti vënë shkelmin në fyt. Jemi me ty Saimir sepse besojmë te ndershmëria jote. /Nga Skender DODA, president i IPA Albania Section, publikuar në Facebook/