Një protestë qytetare është mbajtur këtë të diel pranë Gjykatës së Shkallës se Parë në Shkodër në mbështetje te kryekomisar Saimir Rrustemit dhe 13 te arrestuarve të tjerë të dyshuar për disa tendera për rikonstruksionin e godinës se komisariatit të Policisë në Malësinë e Madhe.
Një grup qytetarësh protestuan paqësisht teksa në duar mbanin pankarta në mbështetje të kryekomisar Saimir Rrustemit dhe të arrestuarve të tjerë.
Një protestues deklaroi se Rrustemi ishte një kryekomisar që bënte me devotshmëri detyrën në përballjen me krimin dhe shteti duhet t’i vlerësojë këto figura.
“Të vijnë këtu e ta shohin dhe të reflektojnë. Jo vetëm Saimirit, por të gjithëve ne këtu na ka ardhur në maj të hundës, sepse po bëhen padrejtësira të jashtëzakonshme çdo ditë Ata ta shohin Saimiri ka bërë një punë të jashtëzakonshme që rrallë kush e bën. Është një njeri i ndershëm që ka sakrifikuar familjen dhe jetën në shumë raste dhe kjo qeveri duhet me i vlerësu këta njerëz, përndryshe duhet me ik nga ky vend se nuk durohet më”, tha njëri prej protestuesve.