Shqipëria vijon të përballet me një sërë procesesh gjyqësore në gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit, kryesisht ndaj investitorëve të huaj. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportin e vitit 2021, deklaronte se fatura për vendimet e arbitrazhit shkonte në 388.5 milion Euro.
Kryeministri kundërshton me forcë dhe deklaron se Shqipëria nuk ka asnjë proces në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të përfunduar ku të ketë humbur.
Por në raportin e konsoliduar të zbatimit të buxhetit të vitit 2021, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, raporton pagesat nga dëmet që i kanë ardhur buxhetit të shtetit nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare.
Gjatë vitit 2021, rezultoi se për Vendimet e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg (GJEDNJ), janë paguar 19.320 EUR , rreth 2.4 milionë lekë për 3 vendime.
Gjatë vitit 2021, rezultoi se për Vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit janë paguar nga buxheti i shtetit rreth 283.85 milionë lekë. Nga këto:
– 84.9 milionë lekë Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
– 83.2 milionë lekë Agjencia Kombëtare Ujësjellës Kanalizime dhe Mbetjeve të Ngurta (AKUM).
– 78.1 milionë lekë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
– 28.9 milionë lekë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
– 8.75 milionë lekë Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Nga Avokatura e Shtetit, që është autoriteti për ndjekjen e këtyre çështjeve, nuk ka të dhëna fikse mbi vlerën që Qeveria e Shqipëria është dënuar të paguajë pas vendimeve nga gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit.
Shpërdorimi i taksave të qytetarëve, nuk ka fund dhe askush nuk dënohet.
Organet ligjzbatuese duhet të veprojnë me shpejtësi, dhe krahas dënimeve penale, të nxjerrin përgjegjësitë personale të punonjesve publik gjate ushtrimit te detyres të secilit.
Dëmet e shkaktuara ndaj burimeve publike, duhet t’i rikthehen qytetarëve nëpërmjet rikuperimit të tyre ne arken e shtetit. /Nga deputetja e Shkodrës Emilia KOLIQI, publikuar në Facebook/