Shkodra dhe Tetova kanë zyrtarisht një memorandum bashkëpunimi që shtrihet në fushën social ekonomike, mjedisit, trashëgimisë kulturore dhe sportit. Nënshkrimi i këtij memorandumi u bë gjatë një vizite zyrtare që kryetari i bashkisë Shkoder Bardh Spahia po zhvillon sëbashku me një pjesë të stafit të tij në komunën e Tetovës në Maqedoninë e Veriut. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami u shpreh se ky memorandum synon forcimin e bashkëpunimit mes dy qyteteve.
Bilall Kasami, Kryetar i Komunës së Tetovës tha se “Duke synuar nxitjen e bashkëpunimit dypalësh në fushën social- ekonomike, turizmit, mjedisit, trashëgimisë kulturore dhe sportit, sot, në sallën e Këshillit Komunal së bashku me kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, mikun tim Bardh Spahia nënshkruajtëm Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Komunës së Tetovës dhe Bashkisë së Shkodrës.
Përmes zhvillimit të aktiviteteve social ekonomike, turizmit, kulturës dhe sportit si dhe duke marr në konsideratë historinë e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndër viteve ndërmjet Tetovës dhe Shkodrës në fusha të ndryshme të veprimtarive ekonomike, jetës artistike kulturore, turizmit dhe sportit, ne synojmë forcimin e bashkëpunimit ndërmjet qyteteve me interes të përbashkët në fushat e lartëpërmendura”.
Kryetari i bashkisë Shkoder Bardh Spahia mes të tjerash tha se ky memorandum do të jetë urë lidhëse mes dy qyteteve tona dhe në të ardhmen do të forcohet edhe më tej bashkëpunimi me projekte ambicioze .
“Kam kënaqësinë të jem sot këtu dhe të firmosim së bashku me Ju këtë memorandum bashkëpunimi i cili synon të shtojë dhe forcojë kontaktet dhe lidhjet tona në disa fusha jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin e dy qyteteve tona dhe shpresoj shumë që tetovarët ta vizitojnë Shkodrën dhe të ndihen si në qytetin e tyre, ashtu siç e kam edhe bindjes se edhe shkodranët do ta shtojnë prezencën në Tetovë dhe do ta konsiderojnë Tetovën si një qytet të tyre”.
Një ndalesë në konakun e “Familjes Palloshi” si dhe “Urën e Kazazëve” duke u njohur nga afër me historinë e Tetovës, vijoi vizita e delegacionit të bashkisë Shkoder në Tetove.