Edhe në një ditë tragjedie, ku qeveria shkaktare duhej të dorëhiqej, KM dhe ZvKM, dalin sëbashku për të prezantuar aferën korruptive të radhës.
Autostrada Adriatiko-Joniane do të lidhë Europën e Veriut, Italinë me Europën Juglindore Shqipëri-Greqi.
Në territorin shqiptar, nis në Muriqan (Shkoder) dhe vazhdon në Balldren, Milot, Thumanë, Kashar, Lekaj, Konjat, bypass-in e Fierit, Levan, Poçem, Memaliaj, Subash, bypass-in e Gjirokastrës dhe përfundon në Kakavijë, në 13 segmente me gjatësi 318 kilometra, duke përfshirë edhe bypass-in e Fierit.
Por qeveria, e ka busullën në drejtim të kundërt, kur përmendet veriu, e në veçanti Shkodra, dhe ndërtimin e autostradës nuk e ka filluar nga Muriqani.
Qeveria shqiptare, në kundërshtim me projektet e BE-së, me nevoja të mëdha për financim për të nxitur ekonominë e vendit, ka synuar të japë me koncesione PPP që në vitin 2019, tre segmente të kësaj autostrade me një vlere gati sa trefishi i përcaktimeve në studimin zyrtar të fizibilitetit të autostradës, Milot-Balldren, Thumanë – Kashar dhe Kashar – Rrogozhinë.
Ndërsa, studimi e përllogariste koston për këto segmente në 8.7 mln euro për km, qeveria me PPP, e çoi koston në total në 17 milionë euro për km.
Segmenti i 4-t, Thumanë – Kashar 21 km, me kosto të llogaritur 155 mln euro, me koncesion/PPP shkoi në 380 mln euro, kosto 2.4 herë më e lartë se ajo reale e paraqitur nga kompania e huaj në studim.
Kompania, e cila ishte fituese e garës për këtë koncesion, pati nisur punimet në vitin 2019 përgjatë këtij aksi, por qeveria papritur e pezulloi koncesionin në mënyrë të njëanshme, një muaj pas skandalit të Unazës së Tiranës, me arsyetimin se fondet e programuara për këtë segment do të çoheshin te nisma për universitetin.
Çështja përfundoi në gjyq, i cili i dha të drejtë kompanisë dhe në vendimin e gjyqit detyrohej Ministria e Infrastruktures dhe Energjisë për pëgatitjen e projekt akteve për shqyrtim në Këshillin e MInistrave “Për miratimin e kontratës së koncesionit PPP……”
Me 26 maj 2022, me vendim të qeverisë miratohet kontrata e koncesionit. për projektimin dhe ndërtimin e aksit Thumanë-Kashar.
Kontrata e lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanive, ka ndryshuar dhe parashikon një koncesion 35 vjeçar, ku dy vitet e para do të jetë projektimi dhe ndërtimi i këtij aksi dhe pjesa tjetër operim dhe mirëmbajtje. Më pas pas 35 vitesh, do të transferohet në pronësi të shtetit shqiptar.
Një plan të ardhurash bazë për gjithë periudhën e koncesionit të rrugës Thumanë -Vorë-Kashar parashikon mbi 1.56 miliardë euro me TVSH, që do të shkojnë për përfituesit e kontratës.
Qeveria ka marrë përsipër edhe garantimin e të ardhurave bazë që do të vijnë nga operimi i rrugës, të ofrojë mbështetje në 8 vitet e para të nisjes së operimit nëse nuk arrihet plani bazë, në vlerën totale prej 27.4 milionë euro me TVSH.
Tarifa që do të paguhet nga qytetarët për të kaluar në autostradën Thumanë Kashar është relativisht e lartë duke pasur parasysh dhe gjatësinë e aksit. Tarifa është 2.5 euro për 21 km për makinat e vogla por për makinat e tjera ajo rritet.
Fondi Monetar Ndërkombëtar bën një kërkesë të vazhdueshme për ndalimin e ofertave të pakërkuara për rrugët. Por qeveria do të japë edhe segmentet e tjera me koncesion dhe kush e di sa do të shkojë kosto për km.
Në një procedurë të anulluar të vitit 2020 për Projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje, rehabilitim dhe transferim i segmentit rrugor Milot-Thumanë-Kashar- Luzi i Vogël/Lekaj- Fier (Koncesion/PPP). Numri i referencës : REF-64779-07-08-2020, Kosto koncesionare parashikohej 1,188 miliard Euro dhe me nje kohëzgjatje 35 vjet.
Koncensioni, 54% më i shtrenjtë se kosto në studimin e fisibilitetit.
Por tani oreksi është rritur, pasi edhe çmimet jane rritur, koncesionarët duhet të kompensohen, fatura do të paguhet në vite, nga ata që kalojnë në këtë rrugë. /Nga Emilia KOLIQI, deputete e Qarkut Shkodër, publikuar në Facebook/