Teksa çmimi i naftës në bursë ka rënë, Konfindustria i ka kërkuar Bordit të Transparencës që të ndërhyjë menjëherë për çmimin e karburanteve në treg. Në një reagim, Konfindustria thotë se mosndërhyrja e Bordit është përpjekje për të shtuar të ardhurat buxhetore dhe është tregues se shteti është kapur nga karteli i naftës.
“Konfindustria i kërkon Bordit të Transparencës ndërhyrjen e menjëhershme për uljen e çmimit të karburanteve në treg. Ndërkohe, që çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare në 2 javën e parë të muajit gusht 2022 ka rënë në mënyre të ndjeshme nën 95$/fuçi në tregun shqiptar vazhdon çmimi i fiksuar prej pothuaj 2 javësh në 221 lekë/litër në shitjet me pakicë. Mbështetur në vlerësimet krahësuese të periudhave të mëparshme, çmimi i naftës më pakicë sot në treg duhet të ishte të paktën nën 200 lekë/litër. Mosndërhyrja e përsëritur në kohë e Bordit të Trasparencës për uljen e çmimit është tregues i qartë i kapjes së shtetit nga karteli i kompanive të naftës si edhe përpjekje për të shtuar të ardhurat buxhetore nëpërmjet “shtrydhjes” së bizneseve dhe qytetarëve shqiptarë.
Është shumë shqetësuese dhe goditje e rëndë shkatërruese për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë kombëtare rritja e fortë e të ardhurave të planifikuara në buxhetin e shtetit në kushtet e inflacionit të lartë dhe me kah rrites. Në 6 mujorin e parë të vitit 2022 të ardhurat në buxhet janë shtuar me afër 200 milionë euro drejtpërdrejtë të lidhura vetëm më rritjen e çmimeve. Inflacioni i raportuar zyrtarisht nga Banka e Shqipërisë është 7.8%, ndërkohe sipas të dhënave reale është mjaft më i lartë”, thuhet në reagim.
Ndër të tjera, Konfindustria thotë se çmimi i lartë i karburanteve është ndër faktorët kryesorë të goditjes ndaj sektorit të turizmit në vitin 2022.
“Çmimet e larta në nivel absolut botëror të karburanteve në Shqipëri, gërshetuar me çmimet e ulëta krahasuese në rajon kanë pasoja të forta shkatërruese sidomos për prodhimin vendor dhe industritë, që rrezikojnë qartësisht rrezikun e falimentimit. Çmimet e larta të karburanteve janë ndër faktorët kryesorë edhe të goditjes ndaj sektorit strategjik të turizmit në vitin 2022 në vazhdim”, thuhet në reagim.