Një masakër e vërtetë me armë zjarri është regjistruar pasditen e së premtes në Cetinje të Malit të Zi, ndërsa bilanci është 11 të vdekur dhe disa të plagosur.
Ngjarja ndodhi kur një 34-vjeçar pas një konflikti familjar doli në rrugë dhe qëlloi me armë zjarri kë gjeti përpara, duke vrarë dhjetë persona, përfshirë edhe fëmijë. Ka qenë ora rreth 15:00 e së premtes, kur Vuk Boriloviq ka dalë nga banesa e tij në Cetinje, ish-kryeqyteti mbretëror i vendit, dhe ka qëlluar me armë gjahu në drejtim të personave që ndodheshin rastësisht në zonë.
Vijesti raporton, duke iu referuar dëshmitarëve okularë, se sulmuesi fillimisht ka vrarë fqinjën dhe fëmijët e saj, pas së cilës ka telefonuar bashkëshortin e të vrarës dhe i ka treguar se çfarë kishte bërë. Më pas, sipas të njëjtave burime, ai ka vazhduar sulmin duke qëlluar në drejtim të fqinjëve dhe kalimtarëve.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të një godine qeveritare, ndërsa mes të plagosurve është edhe një zyrtar policie. Prokurorja Andrijana Nastiq tha se mes viktimave janë edhe dy fëmijë. Një nga dëshmitarët okularë në vendngjarje, i cituar nga televizioni shtetëror i Malit të Zi tha se sulmuesi ka kaluar nëpër lagje dhe ka qëlluar në drejtim të qytetarëve që ndodheshin rastësisht aty, pa dallim.
Nga të shtënat me breshëri arme, kanë mbetur të plagosur gjashtë persona, një prej të cilëve oficer policie, i cili ndodhej rastësisht në vendin e ngjarjes dhe është përpjekur të neutralizojë autorin e krimit të rëndë. Pas të shtënave me armë, katër prej të plagosurve janë shtruar në Spitalin Rajonal të Cetinjës, përfshirë edhe oficerin e Policisë, ndërsa dy të plagosur të tjerë janë transportuar në Qendrën Klinike në Podgoricë.
Qendra Emergjente tha për “TVCG” se një burrë u pranua me lëndime të rënda në kokë dhe gjoks. Tre pacientë u desh të dërgoheshin me urgjencë në sallën e operacionit dhe lëndimet ishin mjaft të rënda. Po ashtu, Qendra Emergjente pret që të arrijë edhe një i lënduar nga Cetinja.
Ivan Ivanoviq, ushtrues detyre i drejtorit të Spitalit të Cetinjës, tha se dy personat të cilët janë shtruar në atë institucion janë jashtë rrezikut për jetën dhe se një pacient tjetër është dërguar në shtëpi pas ndihmës mjekësore të marrë në këtë spital. Ajo pjesë e qytetit u bllokua nga shirita të shumtë të verdhë dhe një numër i madh policësh shkuan në vendngjarje. Skena e krimit të rëndë mblodhi të qytetarë të shumtë të qytetit, i njohur si qendra kulturore e vendit dhe i themeluar në shekullin e 15-të.
Përpjekjet e shumta të Policisë për të ndaluar masakrën dhe arrestuar autorin, kanë hasur në kundërshtinë e 34-vjeçarit, i cili mësohet të ketë qëlluar me armë edhe në drejtim të forcave të rendit. Pas masakrës me dhjetë të vrarë, autori i krimit të rëndë që tronditi shtetin e vogël ballkanik, është qëlluar për vdekje nga një tjetër qytetar. Në vendngjarje shkoi edhe prokurori i lartë i shtetit, shërbimet e emergjencës, Policia dhe Shërbimi i Mbrojtjes dhe Shpëtimit.