Fabian Dodaj është një shqiptaro- amerikan, i cili prej disa javësh është me pushime në vendlindje. Për të shijuar natyrën, siç e deklaron edhe vetë, ka sjellë edhe një mjet lundrues- skaf, të cilin e ka futur në Shqipëri me dokumentacion të rregullt dhe ka marrë leje tek autoritetet sa herë e ka lëshuar në ujë.
Hera e fundit, ishte data 11 gusht 2022, kur atij iu bllokua skafi në Velipojë nga Policia Kufitare. Sipas Dodajt, bllokimi i skafit ishte i padrejtë dhe madje, shprehet se është ndjerë i pengmarrë dhe i intimiduar.
Në një intervistë për mediat, pronari i skafit që prefron të flasë si shtetas amerikan dhe turist, ka shpjeguar kronologjinë e ngjarjes, duke shtuar se i është rrezikuar jeta atij por edhe familjarëve në mjetin e tij lundrues.
Gjatë intervistës së tij, Dodaj ka identifikuar edhe personat përgjegjës të cilët sipas tij duhet të përgjigjen para drejtësisë, duke kërkuar ti hiqet bllokimi i mjetit lundrues dhe gjoba 50 mijë lekë. Për të gjithë ngjarjen, Fabian Dodaj thotë se ka vënë në dijeni edhe Ambasadën Amerikane në Tiranë si dhe mediat e interesuara.