Nisur nga situata kaotike në terren, por edhe nga shqetësimet e shumta të qytetarëve të qytetit të Shkodrës përsa i përket mbledhjes dhe administrimit të mbeturinave, Partia Demokratike Dega Shkodër i bën apel institucioneve përgjegjëse lokale dhe qendrore të veprojnë në kohë.
Mjafton të zbresësh në terren dhe kudo sheh mbeturina të mbledhura. Kjo panoramë e shëmtuar nga papërgjegjshmëria e disave nuk mund të jetë barrë për Shkodrën. Në ditët e kulmit të sezonit turistik, Shkodra duhet të jetë në lartësinë e duhur.
Një qytet nuk mund të mbahet peng i interesave të ngushta klienteliste dhe ekonomike. Shqetësimet e qytetarëve këto ditë kanë qenë të shumta, dhe fatkeqësisht përtej propagandës, kanë rënë në vesh të shurdhër.
Pastrimi dhe mirëmbajtja e qytetit duhet të jetë ABC-ja në çdo kohë. I bëjmë thirrje personave përgjegjës të gjejnë kohën dhe të zbresin në terren. Partia Demokratike Dega Shkodër i kujton zyrtarëve të karrikeve se qytetarët e Shkodrës paguajnë jo pak për një shërbim që sot i mungon qytetit për interesa të një grupi të caktuar.
Partia Demokratike Dega Shkodër, në çdo kohë, do të jetë në krahun e qytetarëve të Shkodrës. /Deklaratë e PD- së, lexuar nga kryetari Xhevdet AMULI/