Ditën e sotme, përmes një komunikate zyrtare, policia e Shkodrës njoftoi shpalljen në kërkim të drejtorit të AKu Shkodër Gjergj Sokoli. Sipas komunikatës, Sokoli akuzohej për shpërdorim detyre pas zbulimit të një pularie të paregjistruar, ilegale në Berdicë.
ShkodraWeb kontaktoi me drejtorin e AKU Shkodër Sokoli dhe mësoi se ai nuk ishte shpallur në kërkim. Madje, Sokoli ka thënë se është paraqitur në polici për të dhënë shpjegime, bazuar në dokumente dhe në prani të një avokati.
Më pas, Gjergj Sokoli ka dhënë edhe një prononcim për mediat, ku ka sqaruar pozicionin e tij me ngjarjen por edhe shpalljen në kërkim policor.
Përveç se drejtor i AKU Shkodër, Sokoli mban edhe pozicionin e këshilltarit bashkiak të Shkodrës, madje edhe kryetar i grupit të PS- së në “parlamentin” e Shkodrës.
Shkodër / Informacion shtesë në lidhje me shtetasin Gj. S. të shpallur në kërkim policor, në kuadër të operacionit “Illegality”.
Shtetasi Gj. S., me detyrë Drejtor i AKU, Shkodër, i shpallur në kërkim policor, është vetëparaqitur në ambientet e DVP Shkodër. Pas deklarimeve të dhëna, ky shtetas është lënë i lirë.