Po ti vëzhgosh njëra pas tjetrës deklaratat e kryeministrit për dy shtetasit rusë, 33-vjeçaren Svetlana Timofoeva, 23-vjeçarin Mikhail Zorin dhe një ukrainas, që u arrestuan mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh, vetvetiu të lind pyetja: a është në rregull ky njeri? Ndërsa sot ai e quajti zhurmën për zbulimin e spiunëve të Putinit një ngjarje qesharake që të bën sa për të qarë po aq dhe për të qeshur, në fillim ai u bë pjesë e një konspiracioni të madh me agjentë, duke e cilësuar ngjarjen si “tejet delikate”. Madje, ndonëse tani bën sikur e haron, ai u ndje shumë krenar për neutralizimin e spiunëve të armatosur me spry.
Në fakt, që në fillim në dëshminë e tyre, ata që ne i quanim agjentë, kanë thënë se janë blogerë dhe fotografonin kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe nuk përdoreshin më nga shteti, por kjo nuk e pengoi kryeministrin të shkruante: “Çfarë krenarie për ushtarët tanë”.
Sipas zakonit Rama nuk la pa sulmuar edhe opozitën. “Çfarë trishtimi që edhe kur bëhet fjalë për një ngjarje kaq delikate sa ajo e Gramshit, gjithëfarë gjelash laramanë ia marrin avazit majë plehut të interesave të tyre mizerabël!
Po edhe çfarë krenarie për rojet ushtarake që i neutralizuan tre individët e dyshuar për spiunazh”, shkruajti Rama.
Shteti shaiptar me kompleksin e të voglit që kërkon të jetë patjetër në epiqendër të ngjarjeve globale e morri shume seriozisht incidentin.
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë doli me deklaratë se “tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në fabrikë. Menjëherë kanë reaguar oficerët që ruanin impiantin, por gjatë përpjekjeve për ndalimin e tre shtetasve të huaj kanë mbetur të plagosur dy ushtarët tanë. Në përpjekje për t’i shpëtuar kontrollit, një nga shtetasit rusë, i identifikuar me inicialet MZ, 24 vjeç, përdori spray neuro-paralizues mbi dy rojet e sigurisë” u tha në njoftim.
Madje në kuadër të çmendurisë kolektive ministri i mbrojtjes shkoi edhe më tej.
Niko Peleshi deklaroi se ngjarja me rusët në Gramsh mund të lidhet me sulmin kibernetik.
Peleshi shtoi se institucionet përkatëse po shqyrtojnë çdo skenar të mundshëm në lidhje me incidentin në uzinën e Gramshit, por dhe atë të Poliçanit, të ndodhur një ditë më pas. “Skenarët e mundshëm i mendojmë. Mund të jetë dhe tentativë për të fshehur skenar tjetër. Mos harroni se pak ditë më parë u përballëm me një sulm serioz kibernetik. Të gjitha ngjarjet i shohim të lidhura me njëra-tjetrën. Nuk na rezulton që këta shtetas, të kenë aplikuar dhe marrë leje apo herën e kaluar për të hyrë në uzinë”, tha Peleshi.
Por, pavarësisht kësaj gafurjeje butaforike të një shteti karagjoz, në rrjetet sociale plasi gallata keq me këta spiunë të rrezikshëm të blinduar me spry që kishin parkuar foristradën e tyre në mes të ditës, para uzinës.
Shumë shpejt qeveritarët e kuptuan gomarllëkun e fryrjes së një ngjarjeje pa përmbajtje. Madje ata i nxorrën si klandestinë dy herojtë që u ndesjën me spiunët për të cilët Rama ndihej krenar, ndryshe nga “gjelat mbi pleh të opozitës”. Ja si e tregon këtë episod të turpshëm reporteri Isa Myzyraj. “Gazetaret kishin shkuar te dielen qe ne oren 6:30 te mengjesit prane repartit te Toksikologjise ne QSUT, per te raportuar per gjendjen e ushtareve te sulmuar ne Gramsh.
Rreth ores, 10:30 atje vjen MInistri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili hyn nga nje hyrje alternative, se bashku me kameramanet e tij, dhe stafin e PR.
Pas disa minutash, zoti.Peleshi del, jep nje deklarate, dhe iken.
Gazetaret qendruan aty, per te pritur daljen e ushtareve.
Rreth ores 11:40 kuptojme se ushtaret ne fakt, ishin ikur nga reparti menjehere pas Niko Peleshit, ata ishin urdhetuar qe te dalin nga dalje alternative dhe te mos perballeshin me gazetaret”.
Kjo dalje e heronjve nga dera e fshehtë ëshë simboli i më i spikatur i disa njerëzve liliputë që vuajnë nga kompleksi i të qenit faktorë globalë, që kanë vendimarrje në Këshillin e sigurimit të OKB. Aq shumë i torturon ky frustrim sa mund të shojin pas çdo ditziu me aparat në dorë një agjent të ish KGB. Prandaj kur e pa se qe bërë barcaletë me këtë fabul, Rama e ktheu pllakën 180 gradë. Ai tha pa pikë turpi se po fliste këtë të mërkurë ngaqë nuk kishte pasur rast të shprehej për këtë “incident”. Ndonëse ai bëri sikur haroi, Lapsi.al po ia kujton se e pati quajtur “ngjarje delikate”dhe se ishte ndjerë krenar për heroizmin e ushtaralëve shqiptarë që neutralizuan armiqtë. Vetëm brenda 5 ditëve u shndërua në njeri tjetër dhe sot tha:
“Nuk kam pasur mundësi të shprehem për këtë. Meqë ma jepni këtë mundësi më lejoni të them që mjegulla e ngritura mbi të ashtuquajturat objekte të rëndësisë së veçantë ishte për të qarë dhe për të qeshur. Ato nuk janë as fabrika që prodhojnë armë.
Ato janë karakatina të deklasifikuara si objekte të rëndësisë së veçantë. Kanë statusin e SHPK-ve të falimentuara. Janë deri në pikën kur për shkak se nuk kanë mundësi të paguajnë dritat ju priten edhe dritat. Kanë disa roje për ta mbrojtur nga zaptimet. Të thuash që po bëhej spiunazh duke fabrikuar mbetjet e komunizmit është shumë qesharake”.
Pa kaluar as një javë fabula e të qenit faktor në betejën e madhe u shua si flluskë sapuni. Nga “ngjarje delikate” historia e spiunëve rusë përfundoi si qesharake. /Nga Andi BUSHATI/