Partia Demokratike përcakton drejtuesit politikë për zgjedhjet vendore të pranverës që vjen. Në Shkodër do drejtojë Bardh Spahija. Një sinjal që ndoshta nuk do rikandidojë më, sepse të drejtosh fushatën në të gjithë qarkun e njëkohësisht të jesh kandidat në njërën nga bashkitë nuk para kishte ndodhur.
Megjithatë duke e parë nga jashtë kryetari i Bashkisë Shkodër po bën jo pak gabime në gjysmën e mandatit të tij. Kur pritej të bashkonte demokratët, ai po i përçan më shumë. Lëvizjet e bëra me administratorët e njësive Dajç e Postribë dy bastione të pastra demokrate por dhe me drejtues institucionesh që mbështetën Xhemal Bushatin, ose siglën zyrtare në zgjedhjet e këtij viti, apo dhe disa të tjerëve që punuan për Spahinë por që ishin pjesë e klanit të Ademit, e cila akoma nuk e di pse u bë aq e padëshiruar për qytetarin numër një të Shkodrës, tregojnë që bashkimi është shumë larg.
Gjithashtu edhe thyerja e rezistencës së kryebashkiakut shkodran para aleancës me Partinë e Lirisë, duke marrë si këshilltar kryetarin e këtij subjekti në Shkodër, por dhe ristrukturimin e institucioneve të varësisë për krijimin e hapësirave për mbështetësit e Metës rrit pakënaqësinë tek demokratët shkodranë.
Jo më larg se dje, një punonjës i një prej institucioneve të varësisë të Bashkisë Shkodër që ka punuar për kreun aktual në fushatë, më rrëfeu se i frikësohej një largimi nga puna.
Shprehja që më tha më ngeli në mëndje “Me të hangër qeni i huj edhe pranohet, po me të hangër qeni jot dhemb shumë.”
Kjo shprehje është po aq e vërtetë dhe për situatën në kampin tjetër. Sapo përfunduan zgjedhjet e kryetarëve në njësitë administrative në Shkodër, Vaun e Dejës dhe Malësi të Madhe. Vazhdojnë akoma në Pukë. Nuk po prek bashkitë e tjera. Po vazhdoj të mbetem në Shkodër.
Ndryshimet statusore, përjashtuan zgjedhjen e kryetarëve me parimin “Një anëtar, një votë”, që për mua ka qenë vendim i gabuar, teksa Berisha si asnjëherë më parë në historinë e Partisë Demokratike solli preliminaret. Mund të jenë fiktive, por gjithsesi përfshin anëtarësinë dhe duket sikur zgjeron vendimmarrjen deri në bazë.
Procesi kishte anë pozitive, por dhe negative. Pozitive ishte prezantimi i figurave të reja, një cikël i domosdoshëm për një forcë politike, që drejton vendin prej 9 vitesh e që sigurisht pushteti e konsumon.
Duke mos njohur ndryshimet më të fundit të statutit edhe pse kam hulumtuar, por duke u bazuar në aktin themelor të Partisë Socialiste para kongresit të Prillit, në zonat fituese nuk diskutoheshin kryetarët e organizatave apo njësive administrative. Ata rikonfirmoheshin, sepse me të drejtë rezultati tregonte që zgjedhja e tyre ka qenë e suksesshme.
Por në riorganizimin më të fundit, në dy njësitë e vetme fituese të kandidates Majlinda Angoni përballë Bardh Spahisë, në Velipojë dhe Gur të Zi kryetarët e këtyre njësive janë larguar.
Asgjë personale me krerët e rinj, por cili është mesazhi që përcillet tek këta që do jenë drejtues të PS-së në komuna e bashki për zgjedhjet e ardhshme? Që nuk ka rëndësi në fituat apo humbët, ne ju heqim gjithsesi?
Përse janë centralizuar partitë politike në Shqipëri? Pse ka humbur demokracia e brendshme, e drejta e mendimit ndryshe dhe opinionit kritik? Pse këta drejtues janë kaq të etur për furça, për servilë?
Historia e mbretit lakuriq është realitet në çdo kohë. Dikush mes turmës do dalë e tju përplasë të vërtetën në sy. E nëse ata “dikush” do shtohen gjithnjë e më shumë, për shkak të verbërisë që pushteti sjell, nuk do të jetë kurrsesi faji i servilëve. /Nga Brunilda DIBRA, publikuar në Facebook/