Në takimin me Drejtuesit e Lartë të Policisë së Shtetit, Kryeministri Rama preku edhe çështjen e kronikës së zezë që ka pushtuar të gjithë vëmendjen e opinionit publik javët e fundit, atë të zhdukjes së Ervis Martinajt. Rama tha se është e papranueshme ajo që ka ndodhur me këtë histori.
“Si është e mundur që policia e shtetit ende nuk e ka një përgjigje për fatin e njërit prej figurave më të larta të krimit të organizuar në Shqipëri. Është e papranueshme që mediat çdo natë janë bërë si Big Brother, jo u vra, jo nuk u vra ai që ishte shumë i kërkuar nga policia.
Lajme me luanë, me bamirësa, me oligarkë, si një serial absurd për një nga figurat më të zeza të botës së krimit Shqipëri. Policia nuk di ende ta thotë ‘ore u vra apo nuk u vra’. Kush e ka penguar ta thotë? Kjo dilemë duhet tëg marrë fund sa më parë”, tha Rama.
Nëse i kërkuari është vrarë duhet t’i thuhet publikut nëse jo t’i dorëzohet policisë, kështu porositi Rama drejtorin e ri të policisë lidhur me zhdukjen e Ervis Martinaj.
“Drejtori i Policisë së Shtetit që merr sot detyrën si një ndër oficeret më jetëgjate, duhet të sigurohet që kjo dilemë të marrë fund. Nëse i kërkuari është vrarë ti thuhet publikut nëse jo të gjendet të kapet ti dorëzohet policisë.”, tha Rama.