Këto letrat dhe këshillat që shkruhen në rastet e fillimit të shkollës për fëmijët janë në fakt gjëra që ne të rriturit ia shkruajmë vetvetes.
Në ata rreshta është një i rritur që arsyeton dhe shkruan si i tillë. Në fakt nuk ka lidhje me fëmijët konkretë, por me ato komplekse herë faji e herē dëshirash që ne të rriturit kemi dhe i projektojmë te vetja jonë. Ka lidhje drejtëpërdrejtë me fëmijën që nuk kemi qenë apo që do të kishim dëshirë të ishim.
Njëmend, lexuesit e atyre letrave janë po të rritur, sepse fëmijët, sidomos nxënësit nga klasa I në të IX as nuk duan t’ia dijnë dhe as nuk i lexojnë ato letra. Kurse adoleshentët i refuzojnë a priori.
Në ato rreshta fëmija të cilit i drejtohemi ne të rriturit është fëmija brenda nesh. Ngaqë ne nuk kemi guxim të flasim me atë fëmijë apo adoleshent në veten tonë i shkruajmë letër atij. Kështu e zhvendosim pafundësisht problemin. Ndoshta atë letër apo këshillë duhet ta rilexojmë në heshtjen e zemrës tonë përballë një pasqyre, duke shikuar veten në sy. Mund të jetë terapeutike dhe fillimi i një dialogu me vetveten, por nuk ka të bëjë me fëmijën dhe nxënësit.
Ndërsa fëmijët? T’i lëmë të gabojnë, të qajnë, të lozin e të çirren e pse jo të bëjnë ato gjëra që ne të rriturit ua kemi ndaluar. Ne të jemi aty për ata duke i dhënë mbrojtje dhe siguri e duke i ndihmuar të dalë e të zhvillohet brenda tyre çka tashmë gjendet brenda tyre. Ky quhet edukim!
Kjo quhet dashuri! Ditë të bukur! D. Gjergji! /Nga Dom Gjergj META, publikuar në Facebook/