Lëvizjet në drejtorinë e policisë së shtetit u pasuan jo vetëm me ndryshime emrash, por edhe disiplinë ushtarake.
Dy ditë më parë në media qarkulloi lajmi se drejtori i ri Muhamet Rrumbullaku ka urdhëruar që asnjë efektiv policie të mos mbajë mjekër dhe mustaqe. Por urdhri ka sjellë reagime poshtë.
Një gjë të tillë e konfirmoi kreu i Sindikatës së Policisë së Shtetit, Sadedin Fishta.
Ai u shpreh se disa efektivë i kanë shkruar për këtë shqetësim.
Por, tha Fishta, përgjigja e tij ka qenë, që mjekrën të mos e heqin pasi akoma nuk e ka parë urdhrin e shkruar.
Nëse kjo ndodh, ai e cilësoi diskriminim dhe paralajmëroi lëvizje ligjore.
“Për mustaqet dhe mjekrën do ta shohim. Një gjë që nuk është e ndaluar me ligj, lejohet. I ktheva një përgjigje edhe një punonjësi policie që më shkroi.
Nëse është urdhër vetëm me gojë dhe jo me shkrim është i pa zbatueshëm. Nëse do të ketë edhe një masë për këtë, ne do të reagojmë.
Si shkelje e të drejtave të punonjësit dhe do ta çojmë te komisioneri për diskriminimin. Unë nuk kam rënë në kontakt me urdhrin” tha ai.
Por a ndihen efektivët nën presion përballë ndryshimeve, drejtorit të ri, testit të drogës, vettingut, etj.
“Cdo drejtues kur vjen, punonjësit janë nën presion. Ka një farë presioni, por presioni nuk mund të dalë jashtë kontureve ligjore.
Presion është që brenda 8 orarëshit duhet të ushtrojë detyrën. Nëse e mbingarkon në mënyrë të paligjshme këtu ndryshon problemi dhe kalon në shkelje të ligjit. Presion ka, normale” tha Fishta.