Në ditët e fundit të korrikut, sapo la postin e presidentit të Republikës, Ilir Meta prezantoi Partinë e Lirisë, duke shuar nga lista e subjekteve politike Lëvizjen Socialiste për Integrim. Askush nuk u zorit të pyeste Ilir Metën për pozicionimin në spektrin politik të Partisë së Lirisë, duke patur parasysh se LSI- ja në momente të caktuara, është pozicionuar jo rrallë më e majtë se Partia Socialiste.
Përballë një pyetjeje që iu bë, Meta nuk iu përgjigj dot nëse është parti e majtë, e majtë apo e qendrës. Në fakt, me një analizë të thjeshtë, bazuar në qendrimet e vetë Metës edhe gjatë kohës që ishte president por edhe më pas, Partia e Lirisë duket se nuk është më pjesë e spektrit të majtë të politikës shqiptare. Për të dhënë një opinion më të saktë, duke parë edhe programi i PL- së, i cili në fakt nuk është publikuar akoma sepse kjo parti është në proces riformatimi.
Lëvizja Socialiste për Integrim, duket se përfundoi misionin e saj. E lindur nga shkëputja e një fraksioni nga PS në 2004- in, LSI ishte qartas majtas dhe me prioritet integrimin e vendit në NATO dhe BE. Me vendimin për hapjen e negociatave, LSI duket se e konsideroi të përmbushur misionin e vet. Kështu, Ilir Meta prezantoi Partinë e Lirisë, parti qartas me pozicionim nacionalist, duke nisur edhe me ngjyrat e logos dhe imazhin e stilizuar të shqiponjës.
Parti të ngjashme në emër, me qasje publike por edhe me simbole në vende të ndryshme të botës, përgjithësisht nuk kanë asnjë lidhje me të majtën. Përkundrazi, ato rreshtohen djathtas dhe në jo pak raste edhe si ekstrem i djtahtë. Konsiderohen si parti populiste- nacionaliste me prirje të forta kombëtare edhe në suazën e Bashkimit Europian.
Pse ka zgjedhur këtë qasje me Partinë e Lirisë Ilir Meta? Hamendësimet mund të jenë nga më të shumta por e para që vjen në mendje është “kapërcimi i ylberit politik”. LSI duket se nuk gjente mjaftueshëm prkrahje dhe vota në spektrin e majtë. 3 mandate radhazi në pushtet të PS- së, duket se i reduktuan ndjeshëm mundësinë për të marrë vota që prodhojnë mandate deçizive për bashkëqeverisje kushtëzuese qoftë me socialistët ashtu edhe me demokratët.
Nga ana tjetër, duket se kostumi i të majtës, i rri ngushtë Ilir Metës, të paktën që pas mitingut të 2 marsit të cilit ai i referohet mjaft shpesh. Në amullinë aktuale që mbase do të zgjasë në PD por edhe në të djathtën shqiptare në përgjithësi, Meta mendon se mund të marrë një thelë të rëndësishme të elektoratit të këtij krahu.
Ka edhe një llogari tjetër, më shumë në kuadrin e një skeme të mundshme riorganizimi të së djathtës, në rast të humbjes së përballjes elektorale të Berishës me Ramën. PD- ja nuk ka mundur të identifikojë një lider të mundshëm me fuqinë përbashkuese të Berishës. Me gjasë, edhe këto 2-3 vite nuk do të mund ta gjejë. Ilir Meta, tashmë me pozicionim djathtas si Parti e Lirisë, mund të jetë një alternativë.
Një fuzion, një shkrirje në mes PD dhe PL, me emër të ri apo duke ruajtur emrin e njërit nga subjektet, nuk është një mundësi e parealizueshme. Afiniteti politik i Metës dhe Berishës, përtej ulje- ngritjeve të kuptueshme për politikën shqiptare, është i njohur dhe në bashkëpunime, jo i pasuksesshëm. Hapja e krahut nga Berisha, më së paku mund të sjellë një federatë me lider Metën. A është ky qëllimi i lëvizjes së Metës djathtas përmes Partisë së Lirisë? /Nga Blerti DELIJA/