Sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, 27 tetori 2022 është afati i fundit maksimal kur Presidenti i Republikës, me dekret, duhet të shpallë datën e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Me 27 korrik 2019, KQZ- ja shpalli rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të atij viti, ndërsa Presidenti i Republikës, në zbatim të Kodit Zgjedhor “kohëzgjatja e mandatit të organeve të qeverisjes vendore përllogaritet deri në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së shpalljes me vendim të KQZ-së në shkallë vendi të rezultateve të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, duhet ta shpallë 9 muaj para. Zgjedhjet vendrore në 2023- in duhet të zhvillohen brenda harkut kohor 15 prill- 15 maj.
Ndërsa kanë nisur të përfliten kandidatë e aspirantë për kandidatë për 61 bashkitë e vendit, Komisioni i Reformës Zgjedhore në Kuvend, ka kërkuar zgjatjen e mandatit të tij edhe me 6 muaj të tjerë. Me gjasë, ky komision por edhe ai i ndarjes së re territoriale të vendit, nuk do të kenë produkt të zbatueshëm në zgjedhjet e pritshme vendore të 2023- it. Siç edhe vitet e kaluara kanë treguar se kur ka pasur konsensur politik PD- PS, janë shkelur afatet, aktet nënligjore, ligjet e madje edhe Kushtetuta.
Përtej kësaj, është momenti që forcat politike që synojnë pushtetin vendor vitin që vjen, të nisin punën jo thjesht e vetëm për evidentimin e kandidaturave të mundshme për kryebashkiakë e këshilltarë por edhe t’i hedhin në publik emrat për të marrë një përgjigje nga ata që do të thirren ti votojnë. Kjo do të ndikojë që qytetarët të shoshitin kandidaturat, të japin opinionet e tyre dhe të kthehet pas tek propozuesit opinioni i tyre. Opinioni është i rëndësishëm për partitë politike por edhe për krijimin e një perceptimi fillestar nga votuesit.
Partia Demokratike ka njoftuar zhvillimin e primareve brenda radhëve për të përcaktuar kandidatët. U tha fillimisht si afat fundi i muajit shtator por akoma nuk ka data se kur do të zhvillohen primaret. Nga ana tjetër, PS- ja do të përdorë metodën e zakonshme, atë të përcaktimit të emrave nga kryesia qendrore, me ndikim të padiskutueshëm të kryetarit- kryeministër Edi Rama. LSI- ja që tashmë është Partia e Lirisë, është shprehur e gatshme të bëhet pjesë e primareve, edhe të përbashkëta me PD- në.
Aktualisht, nga 61 bashki të vendit, 60 janë të drejtuara nga PS- ja pas anomalisë së zgjedhjeve të 30 qershorit ku opozita e ka fushën të lirë duke mos marrë pjesë në garë. E vetmja bashki që rezistoi, ishte ajo e Shkodrës ku kandidati fitues i 30 qershor 2019 u dorëhoq pasi iu zbuluan disa “hije në biografi”. Bashkia e Shkodrës u fut në zgjedhje me 6 mars dhe PD- ja pavarësisht se përçarë, arriti ta ruajë bastionin edhe përballë kandidaturës së PS- së.
Në Shkodër, kanë nisur të qarkullojnë mjaft emra. Në jo pak raste, ka dëshira apo “listë dëshirash” të individëve që “kanë punuar” për këtë ditë dhe për shumë vite në disa raste madje. Me shumë mundësi, gara do të jetë përsëri në mes PD- së dhe të tjerëve. Ka pak dyshime për emrin e kandidatit të mundshëm nga PD- ja. Bardh Spahia është kandidati, pavarësisht aludimeve më shumë mediatike pas emërimit të tij si koordinator politik i Grupit të Punës për Qarkun e Shkodrës. Me 6 mars 2022 ai u fut në garë jo vetëm për një vit mandat të ish- kryetares Voltana Ademi por edhe për të vijuar me mandatin e di, duke nisur nga 2023- i.
Në krahun tjetër, është Partia Socialiste. Me 30 qershor 2019 e vetme në garë por edhe me 6 mars 2022 me një përçarje të dukshme të PD- së, nuk arriti ta fitojë Bashkinë e Shkodrës. Megjithatë, ajo përsëri synon përmbysjen, edhe pse duket e vështirë. Prej kohësh lakohen emra të shumtë kandidatësh të mundshëm. Por përherë e më shumë, po konvergohet në një emër. Benet Beci shihet jo vetëm si një figurë përbashkuese por edhe si konvergim i flukseve brenda e jashtë PS- së, të aleatëve por edhe përtej të majtës.
LSI- ja apo Partia e Lirisë, tashmë me Ilir Metën kryetar, duket se e ka bërë zgjedhjen e vet edhe për zgjedhjet vendore të 2023- it. Me shumë mundësi, në Shkodër do të mbështesë emrin e propozuar nga PD- ja përmes primareve, por duke u kujdesur për të shtuar peshën në Këshillin Bashkiak por edhe në pjesën e administrimit të bashkisë. Raporti politik i Metës me Berishën është i njohur dhe aktualisht, është ndoshta në pikën më të lartë të bashkëpunimit duke shenjestruar bashkërisht Edi Ramën.
Siç ka ndodhur gjithmonë, “beteja për Shkodrën” do të ketë vëmendje të paktën mediatike. PS- ja dhe Rama do të kërkojnë me të gjitha forcat të realizojnë “ëndrrën” për marrjen e Shkodrës, siç edhe PD- ja e Berishës do të kërkojë me të çdo mjet mbajtjen e bastionit historik të 32 viteve të fundit. Ajo që mbase mund të sjellë ndonjë surprizë, është “loja” e zakonshme në atë që konsiderohet “pjesa e padukshme” e politikës. Për këtë pjesë është akoma shumë shpejt të flitet.
Deri tani ka vëtëm murmuritje, nuk dëgjohet qartë edhe pse flitet për përfaqësim të “palës tjetër”, duke nënkuptuar përkatësinë krahinore, fetare por edhe kategorizimin social brenda Shkodrës. Bisedat më zë të ulët, janë akoma në nivelin e tavolinave të kafes, grupeve të ngushta por edhe ndonjë “rrjedhje” informacioni drejt Tiranës për të dëmtuar rivalët e mundshëm në garën brenda familjes. /Editorial nga ShkodraWeb/