Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e kësaj të diele në Shkodër. Raportohet se ka mbetur i vdekur 1 person, identiteti i të cilit paraprakisht është Erjon Xhenja.
Ngjarja ka ndodhur në bulevardin ‘Bujar Bishanaku’, pranë kryqëzimit të Kirasit, sipas informacioneve paraprake, brenda një lokali ku viktima po pinte kafe.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat blu për të zbardhur detajet e ngjarjes së rëndë.
Gjithçka ka ndodhur pak pas përfundimit të ndeshjes Vllaznia- Kastrioti në stadiumin “Loro Boriçi”, pranë vendit ku ndodhi ngjarja.
NJOFTIMI I POLICISË
Rreth orës 20:10, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, në lagjen “Naim Gjylbegu”, në një lokal, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi E. Xh., 19 vjeç, banues në Shkodër.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve, të cilët janë larguar me një motoçikletë.
Në lagjen “Guerrile” është gjetur nje motoçikletë duke u djegur dhe një armë zjarri pistoletë, që dyshohet se janë përdorur nga autorët.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Shërbimet e Policisë Vendore dhe FNSH Shkodër vijojnë kontrollin e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorëve.