Makinës së Deizi Arapit, emri i së cilës u bë i njohur një muaj më parë pasi u arrestua se fyeu e kundërshtoi efektivët e policisë, i është vënë flaka, para shtëpisë së saj në Bilisht, ku edhe e kishte parkuar.
Sipas policisë zjarrvënia është e qëllimshme, ndërsa, vetë 27-vjeçarja akuzon, ish-kryetarin e bashkisë së Devoll, Bledion Nallbati, i cili është aktualisht deputet i PD-së, se ai fshihet pas zjarrvënies së makinës së saj.
Sipas 27-vjeçares, konflikti ka lidhje me pushimin nga puna të së ëmës së saj në bashki, teksa bëri të ditur se ditën e djeshme, e ka ndjekur një person, i cili sipas saj është punonjës i karburantit në pronësi të Bledion Nallbatit. Ajo tha se në vend ngjarje është gjetur një bidon benzine nga ky karburant, ashtu si herën e kaluar kur iu dogj makina për herë të parë.
“Ka të bëjë me heqjen e mamasë sime nga puna e hoqi në mënyrë mizore, ajo ishte pastruese. Pata një konflikt me kryetarin Bledion Nallbati që më përplasi derën turive. Që prej asaj kohe u dogj makina ime në 2018. Jam e sigurt që ai person ka futur një person tjetër që punon në karburantin e tij. Kjo është arsyeja themelore. Personi që ka djegur makinën time punon në karburantin e Bledion Nallbatit dhe shishja e benzinës që është gjetur është marrë nga i njëjti karburant. Policia nuk ka nxjerrë gjë, por këto janë dyshimet e mia.”, tha ajo.
Ndërkohë, deputeti i PD-së Bledion Nallbati, i është përgjigjur akuzave të Deizi Arapit, se ky i fundit i ka djegur makinën pas një konflikti të mëparshëm pmes tyre.
Ish-kryebashkiaku i PD-së, i mohon akuzat dhe deklaron se do të bëjë kallëzim për shpifje ndaj 27-vjeçares.
“Jam i habitur nga këto akuza. Unë kam pasur vetëm një konflikt verbal kur isha kryebashkiak, por asgjë më tepër. Besoj se është nxitur nga dikush tjetër për të bërë këto akuza. Sa i përket punëtorit tim nuk mbaj përgjegjësi për çdo punëtor që kam, me kë zihen dhe çfarë bëjnë. Sapo të kthehem nga Gjermania do të bëj një kallëzim për shpifje.”, tha ai.