Memoria më çoi te viti 1961. Në shtator të këtij viti isha liru nga burgu i Burrelit, duke lanë brenda këtij burgu vëllain tim Angjelinin dhe në pereferi të burgut, në një vorr të pa emën, vorrin e babës tim.
Me Padër Meshkallën fati më kishte ba që të prezentohesha në këtë oborr të burgut, ku për dy vjet rresht, pothuaj çdo ditë, më jepte njohuni fetare e filozofike. Si psikolog i rrallë, kishte spikatun në natyrën time, memorien në të cilën ai kishte ma shumë besim se unë te vetvetja.
At Meshkalla kishte një fletore me poezi. Do lirohej se kishte kry dënimin 6 muaj para meje. Fletoren ma ngarkoi mu per t’ja citun përmendësh mbasi si fletore, nuk lejohej të delte nga burgu. Mbasi u lirova ai dhe unë kishim kontakte të shpeshta si një mësues i mirë me një nxanës.
Ishin Pashkët e vitit 1961. Padër Meshkalla më kishte ftu për Pashkë. Ftesën e tij ja bana të njoftun nanës, e cila m’ u lut tuj më ba be, që të shkoja se nuk kisha dëshirë që të la nanën vetëm.
Mu lut e mu lut e ma në fund i thashë mirë se po shkoj. U nisa dhe vendosa të rri te lulishtja ndën hijen e një peme e si do të shkoja. kur në tryezen e shtëpisë time ndodhej veçse një pjatë supe e vorfë?!
Mbasi kaluan plot 2 orë e 30 minuta, u ktheva në shtepi duke i thanë nanës se me duhej dhe një herë me shku te At Meshkalla për me e ndihmu. “Po shko bir të pastë nana e sa herë ai të ketë nevoj”, më tha nana.
Mora frymë lirisht se kryeja vizitën e Pashkëve e as që më shkonte mednja se At Meshkalla më kishte pritun me tryezën shtru, të mblume me një sofrabez shkodranësh.
“Pak si vonë erdhe por s’ka gja” dhe më ftoi në tryezë. “Po unë kam hangër” i thashë. “S’ ka gajle se dy të hangruna nuk bajnë keq, dy të rrahuna po”. Këmbëngulja e ti më detyroi të ulesha në tavolinë së bashku me nanën e tij.
Kaluam një drekë të kandshme, të shoqnueme me kujtimet e miqve tonë të burgjeve. Ishte optimist e me bisedat, të bante me besu se e ardhmja jonë asht mbas dere e se komunizmi ka marrun fund.
At Meshkalla ishte njeriu i sakrificës të pafund. Lindi në djepin e artë, u përkund nga një dorë e artë dhe u mbulua me kapakun e artë. Lum si a! Por detyra jonë asht që mos ta harrojmë. Unë deri në frymën e fundit nuk do ta harroj mesuesin tim! /Nga Viktor MARTINI, publikuar në Facebook, redaktuar nga ShkodraWeb duke ruajtur origjinalitetin e tekstit të autorit/