Koordinatorja e PS- së Shkodër Edona Bilali, njëkohësisht ministre shteti për Mbështetjen e Sipërmarrjes, nuk e ka fshehur kënaqësinë për zhvillimin e mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak Shkodër ditën e sotme.
Në një shënim të shkurtët në Facebook, shoqëruar me një foto, Bilali shkruan: “Po mbahet tani mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit Bashkiak Shkodër. 41 Këshilltarë prezentë. #Tanebashke ja dalim. #psshkoder”.
Mbledhja e sotme vjen pas dështimit të mbledhjes javën e kaluar për mungesë kuorimi të këshilltarëve të PS- së. Atë ditë, kryetarja e Këshillit Bashkiak Brisela Kadia njoftoi datën e sotme për zhvillimin e mbledhjes.
Ditën e sotme, u bë publik edhe një informacion lidhur në një mbledhje të zhvilluar me platformën Zoom nga Bilali me këshilltarë e drejtues të PS- së. Mesa duket, “dushi i ftohtë” i Bilalit ka dhënë efekt. A do të vazhdojë ky efekt në të gjitha mbledhjet e KB Shkodër? Mbetet të shihet.