Shqipëri për turp në “Air Albania”. Kuqezinjtë luajnë me një lojtar më shumë thuajse gjatë gjithë lojës dhe bëjnë shumë pak për të fituar ndaj islandezëve dhe ndonëse kryesojnë për minuta të tëra, ndëshkohen në minutën e 7 dhe të fundit shtesë, duke u ndalur në barazim 1-1 dhe duke mbetur të fundit në grup.
Kuqezinjtë e nisin mirë sfidën dhe ndihmohen nga VAR-i, që sinjalizon një karton të kuq për mbrojtësin islandez që në minutën e 8’, duke provuar ta bëjë të lehtë sfidën për tanët, por në fakt nuk rezultoi aspak kështu.
Edi Reja vijoi të këmbëngulë te mbrojtja me 5, pavarësisht se kundërshtari sulmonte vetëm me një lojtar, ndërsa kuqezinjtë vuajtën jo pak për të gjetur goditjen e parë në portë, që erdhi pikërisht në të 35-ën me Lenjanin, i cili gjuajti saktë me kokë dhe shënoi golin e vetëm të sfidës.
Pjesa e dytë ofron një Shqipëri të fikur, që nuk ndizet as nga tentativat personale të Bajramit, ndërsa Islanda i afrohet disa herë golit të barazimit me kundërsulm, por Strakosha bën mirë detyrën në mes të shtyllave.
Zëvendësimet e Rejës janë të vonuara, pas minutës së 70’ dhe disa shpërthime të Brojës ndezin disi entuziazmin, por shumë shpejt fillon të ndjehet frika e barazimit dhe skuadra tërhiqet mbrapa e lëshon terren.
Dhe pikërisht ajo të cilës futbollistët në fushë i druheshin, ndodhi në sekondat e fundit të lojës, kur islandezët shënuan me një krosim perfekt nga krahu i djathtë i sulmit dhe mbajtën vendin e dytë, duke na lënë në fund.
Mbyllet kështu në mënyrë zhgënjyese performanca e kuqezinjve në Ligën e Kombeve, teksa trajneri Edi Reja nuk ia doli të vrasë frikën as me një lojtar më shumë në fushë, duke zhgënjyer sërish me zëvendësimet dhe mënyrën e lojës.