Janë jo të paktë antarë, mbështetës e simpatizantë të PS- së në Shkodër që e kanë mirëpritur lajmin për largimin e Edona Bilalit nga pozicioni i drejtueses politike të qarkut të Shkodrës. Natyrisht, janë më të shumtë se “gishtat e dorës”, siç u shpreh Bilali në mbledhjen e fundit me Zoom, duke përdorur edhe termin aspak të thjeshtë “llum” për ti etiketuar disa prej tyre “që nga partia kanë marrë çdo gjë nga promovimi deri tek favoret e që partisë ja kanë nxirë fytyrën me hajdutëri e shitje vendesh pune”.
Koençidenca në mes deklaratave të forta të Bilalit paradite dhe vendimit të kryesisë së PSSH- së pak orë më pas në mbrëmje, vështirë të jetë vetëm e tillë. Pakënaqësia për lidershipin politik të Bilalit, ka dalë edhe në publik, përmes shkresave që kanë qarkulluar, drejtuar jo vetëm kryetarit- kryeministër Edi Rama por edhe ambasadores amerikane Yuri Kim.
KLIKONI KËTË LINK PËR TË LEXUAR LETRËN E PLOTË TË SOCIALISTËVE SHKODRANË PËR EDI RAMËN E YURI KIM
Që në momentin e parë kur emri i Edona Bilalit u artikulua si kandidate për deputete e Shkodrës në 2021, ka patur reaksion në radhët e PS- së Shkodër. Që nga 2013- a, ka ekzistuar një përballje brenda këtij subjekti në mes “rilindasve” dhe socialistve të 1991- it e më përpara. Veç kësaj, ka ekzistuar edhe një grupim i mbështetësve të ish- drejtuesve të mëparshëm politikë të qarkut Ilir Beqaj e Ditmir Bushati. Pak a shumë, kjo situatë, është reflektuar edhe në Këshillin Bashkiak të Shkodrës nga 2019-a e këtej.
Bilali, ndryshe nga Beqaj apo Bushati, e ka patur më të vështirë të jetë e baraslarguar dhe jo pak herë ka rënë pre e anatemimeve nga socialistët për nepotizëm apo punësime të njerëzve pranë saj. Pakënaqësitë erdhën në rritje, sidomos pas zgjedhjes së Bilalit deputete dhe besimit nga ana e Ramës të drejtimit politik të PS- së së Qarkut. Si ministre, Bilali ka patur mundësitë e hapësirat të ndikojë edhe tek kolegët ministra, madje edhe kryeministri për emërime apo çeshtje sensitive për socialistët shkodranë.
Largimi i Bilalit nga drejtimi politik i PS së në qarkun Shkodër, konsiderohet si i përkohshëm. Kjo, për shkak të ditëve të fundit të “pritjes së ëmbël” të Bilalit, për ta lehtësuar nga ngarkesa në një moment të rëndësishëm dhe njerëzor të saj. Dy bashkëkryetarët e PS- së madje e kanë shprehur publikisht këtë bindje. Por me gjasë, nëse do të respektohet afati kushtetues i mbajtjes së tyre, në zgjedhjet vendore të 2023- it, Edona Bilali nuk do të udhëheqë politikisht PS- në e qarkut Shkodër.
Edi Rama mbledh informacion, madje në disa drejtime dhe nivele. Kështu ka funksionuar që nga dita e parë në politikë. Emërimi i Elisa Spiropalit, një figurë e lartë politike, ministre dhe personazh pranë Ramës, synon të unifikojë PS- në e Shkodrës, e cila nuk është në situatën më të mirë të mundshme. Duke ardhur nga jashtë Shkodrës, teorikisht Spiropali do të jetë e baraslarguar nga grupimet antagoniste në degën shkodrane.
Por nga ana tjetër, Spiropali ka një njohje minimale të situatës në këtë degë të PS- së. Sigurisht, ka të njohur, pse jo të besuar, por nuk ka plotësisht informacionin e duhur. Po ashtu, Spiropali ka një njohje dhe afinitet më të madh me Ilir Beqajn dhe Ditmir Bushati, të cilët në Shkodër kanë jo pak mbështetës për shkak të aktivitetit të tyre politik por edhe punësimeve gjatë drejtimit të tyre politik të qarkut. Me gjasë, Spiropali do të nisë punën “e ndikuar” në Shkodër. Por thelbësore do të jenë orientimet e “Skenderbeut”, siç e quan Spiropali publikisht Edi Ramën.
Nëse largimi i Edona Bilalit është i përkohshëm për shkak të impenjimeve të pritshme familjare në fund të “pritjes së ëmbël”, Elisa Spiropali do të jetë në Shkodër thjesht dhe vetëm një “turiste shëtitëse”, shijuese e kulinarisë lokale dhe “dhuratë” e PS- së për fitoren e lehtë të PD- së në bashkinë e Shkodrës në zgjedhjet e 2023- it. /Nga Blerti DELIJA/