Në përditshmërinë tonë takojmë njerëz nga më të ndryshmit, të cilët përsonalisht mendoj se mbartin nga një vlerë dhe mesazh për jetën tonë në mënyra të ndryshme, mjafton të dijmë ne ta kuptojmë. Qeshim, qajmë dhe përsëri këta njerëz janë si ato pemët që i jepen vjeshtës. Pra ne jetojmë çdo ditë, i përkasim një toke dhe një qielli.
Njerëzit mendoj se që para shumë kohësh kanë lindur bashkë me komplekset e tyre, të cilët mendoj se vijnë nga shkaqe të ndryshme socio-ekonomike dhe ato komplekse i veshin në trup çdo ditë, me hir apo pahir. “Duhet të dukem mirë” është fjalia që më shoqëron mendjen, sytë dhe veshët çdo ditë në okazione të ndryshme që më takon të jem.
“Ti nuk duhet të dukesh mirë, ti duhet te jesh thjesht ajo që je”. E mendoj me shumë ngulm dhe e them çdo ditë në mënyra të ndryshme se ajo që jemi është ajo çfarë i shërben kulturës dhe komunitetit . Janë ëndrrat, janë parimet, objektivat e jetës, për të cilat ia vlen ti veshësh çdo ditë ashtu si duhet ne mënyrën dhe kohën e duhur.
Ti je ti dhe jo komplekset që ti mbart. Ne jemi të gjithë njerëz që pasqyrohemi nga ajo që bëjmë çdo ditë dhe jo nga ajo si ne dukemi.
Të jesh apo të dukesh? Është një pyetje që na e ngacmon mendjen shumë herë kur takohemi në tavolina të ndryshme.
Të jesh, është gjithë qënia jote dhe ajo që ti mbart me gjithë vërtetësinë e mendimeve, fjalëve apo veprave që ti bën çdo ditë te mëdha apo të vogla qofshin ato.
Të dukesh është një e vërtetë fasadë që ka veshur rrobën e gënjeshtrës dhe mbulon defektet dhe komplekset e secilit nga ne.
Mos u duk, por ji ajo që je me të gjitha ngjyrat që të karakterizojnë qënien tënde. Jeta është e jona dhe çdo gjë na përket ne për aq kohë sa ne jemi posedues të vetes tonë të vërtetë. Kemi nevojë për njerez që janë të vërtetë dhe veshin vlera dhe parime. /Nga Migena LIKA, për ShkodraWeb/