Sali Berisha ka folur sot me “letra të hapura”. Me eksperiencën mbi 30 vjeçare në politikën pluraliste, lideri i PD- së ka bërë thirrje për mobilizim të çdo strukture të partisë, në kuadër të zgjedhjeve vendore të 2023- it. Haptas, ai ka shprehur pakënaqësinë për punën e bërë deri tani, duke lënë të kuptohet se beteja me Edi Ramën nuk është aspak e lehtë.
Disa vite më parë, kur në krye të PD- së ishte Lulzim Basha, Berisha shprehej se me Ramën kryeministër është e vështirë të fitohen zgjedhjet. Madje, në ndonjë rast ka kërkuar që zgjedhjet të zhvilloheshin pa Ramën kryeministër. Me ardhjen në krye të PD- së, me uljen e entuziazmit të natyrshëm të “Foltores”, Berisha ka reflektuar e vazhdon të reflektojë, duke synuar që të fusë në të njëjtin proces edhe strukturat nga baza në qendër.
Këto zgjedhje, janë të vështira si ato të vitit 2021, kur PD nuk kishte asnjë deputet në Kuvend në prag të tyre, për shkak të dorëzimit të mandateve opozitare dhe zëvendësimin me të ashtëquajturën “opozitë e re”. Edhe zgjedhjet e ardhshme të pushtetit vendor, nuk janë aspak të lehta. Në 60 bashki nga 2019- a qeverisin të majtët. Kryetarë bashkisë dhe këshilla bashkiakë janë “rozë”. E vetmja bashki që mbijetoi në 2019- ën është e Shkodrës, edhe ajo me një këshill bashkiak të majtë.
Për 4 vjet, në ato bashki ku qeveriste PD- ja deri në 2019- ën, ka patur ndryshime të thella, duke nisur nga administrata, e cila në masë të gjërë është sipërtërirë në favor të karrigembajtësve të 4 viteve të fundit. Po ashtu, katër vite janë kohë e mjaftueshme të ndërthuren interesa të tjera, të dukshme e të padukshme që nisin e përfundojnë në dyert e kryebashkiakëve.
Berisha nuhat edhe rreziqe të tjera. Me gjasë, gjykatat nuk do të lëvizin në drejtim të zhdavaritjes së legjitimitetit të lidershipit të PD përpara strukturave të shtetit si KQZ- ja apo Kuvendi. Ato vazhdojnë të njohin Enkelejd Alibeajn si kryetar në detyrë të PD- së. Kjo amulli, vështirëson arritjen e objektivave elektoralë të PD- së, duke lënë të dyzuar jo pak demokratë në pozicionuar edhe sot e kësaj dite në krah të njërit apo tjetrit lidership. Natyrisht, pjesa më e madhe janë në krah të Berishës, por përballë një kundërshtari si Edi Rama, beteja mund të reduktohet edhe në një grusht votash që mund të rrjedhin tek një kandidat tjetër që merr vota demokratësh apo të djathtësh.
Problemi tjetër është padyshim Ilir Meta dhe Partia e Lirisë. LSI- ja e transformuar në emër por edhe në qasje, nuk ka më synim as të majtën e as të djathtën e spektrit politik. Janë bashkëshortë, por Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nuk janë e njëjta gjë në politikë. Nëse futja në garë e PD- së do të realizohet ligjërisht përmes vulës së Partisë së Lirisë, Berisha e di mirë se do të duhet të paguajë jo pak haraç. Bashkëqeverisja e mundshme e PD- së me PL- në, rikthen reminishencat aspak pozitive të qeverisjes në nivel kombëtar 2009- 2013. Kjo, jo vetëm të Berisha por edhe demokratët e thjeshtë në mbarë vendin. Edhe sot e kësaj dite, janë jo të paktë ata që mentojnë se tatëpjeta e PD- së nisi pikërisht në 2009- ën, duke paguar haraç elektoral jo të vogël në 2013, 2021 dhe sidomos në 2017.
Nga 2021- i, të paktën perceptimi i përgjithshëm është për një situatë më të vështirë ekonomike e sociale në vend. Pandemia, rritja e shfrenuar e çmimeve, ka rritur ndjeshëm varfërinë në vend dhe dëshirën e jo vetëm të rinjve të largohen nga ky vend. Por me gjasë, shumica dërrmuese e tyre, janë mbështetës të opozitës. Mirë apo keq, pak apo shumë, kategoria e mbështetësve të mazhorancës aktuale, terorikisht janë më të favorizuar këto 10 vitet e fundit.
Futja si votues në primare edhe e simpatizantëve të PD- së, synon që fryma opozitare të shtrihet edhe përtej demokratëve, edhe pse ekziston rreziku që kjo hapësirë të shfrytëzohet nga rivalët politikë për të ndikuar me mekanizma të ndryshëm në përzgjedhjen e kandidatëve më të dobët për ta. Aq më shumë, kur ekziston database e gatshme e patronazhistëve.
Berisha ka nisur ti bjerë “këmbanave të alarmit”. Sigurisht, ai ka indicie por edhe informacione. Përgjegjësia e tij është direkte në këtë garë. Pas 10 viteve, në përballjen e vitit 2023, është në lojë jo vetëm fati i tij politik por edhe ekzistenca e PD- së dhe opozitës në këtë vend. Nëse Berisha dështon në 2023- in, edhe në 2025- ën PD- ja arrin më e brishtë, më e dobët në takimin e zgjedhjeve politike. Përkundrazi, një rezultat pozitiv, të paktën më i mirë apo i njjtë me atë të vitit 2015, i jep motivim, shpresë dhe optimizëm PD- së dhe opozitës. /Nga Blerti DELIJA/