Nënë e bir janë dhunuar dhe grabitur nga 5 persona të armatosur pak pas mesnatës së të shtunës në Klos.
Pasi i kanë lidhur e dhunuar, hajdutët janë larguar nga vila trekatëshe duke grabitur një shumë prej 8 mijë eurosh dhe 1 milion lekësh. Sipas një të afërmi, dy anëtarët e familjes që ndodheshin në ato momente në shtëpi janë torturuar, ndërsa djalin e kanë rrahur “tmerrësisht shumë”.
“S’kishte ka ndodhur ndonjëherë. Se dimë se ça po hyn e ça po del. Kush bën kështu veprimesh, duhet pushkatuar, është hequr pushkatimi këtu. Ishte e ëma me djalin. E morën vesh lajmin kur pamë policinë. Kanë ardhur në orën 1 me automatik e maska. I kanë torturuar, i kanë goditur.
Çunin mesa mora vesh e kanë rrahur tmerrësisht, ata që kanë hyrë e kanë lidhur”, tha i afërmi.
Njoftimi i policisë
Rreth orës 03.30, datë 02.10.2022, në fshatin Dom, Klos, persona ende të paidentifikuar dyshohet nën kërcënimin e armës, janë futur në banesën e shtetases Sh.Ll, e cila ndodhej në banesë së bashku me djalin e saj dhe me forcë ju kanë marrë një shumë të konsiderueshme vlerash monetare.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar 6 persona në Komisariat, dhe vijon kontrolli i zonës për kapjen e personave të përfshirë në këtë ngjarje.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes.