Oficerja e policisë së Vlorës me inicialet B.A, që presupozohet se është kthyer në provën kryesore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda kundër ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, është e “zhytur” tërësisht në veprimtarinë kriminale të këtij grupi. Nuk dihet se cila është arsyeja, apo kush mund ta pengojë prokurorinë për arrestimin e kësaj oficereje, pasi, nëse shikon dosjen e prokurorisë së Katanias, efektivja e policisë rezulton të jetë e implikuar me grupin që drejtohej nga Moisi Habilaj. Dëshmia e saj është administruar në dosjen e prokurorisë më 20 tetor 2017, por ndaj saj nuk është marrë asnjë masë ndalimi, ndonëse rezulton e përfshirë totalisht në trafik droge.
Habilaj së bashku me oficeren B.A, kanë udhëtuar në 2017 në drejtim të Italisë, por edhe në drejtim të Greqisë, disa herë. Oficerja që ka rrëfyer dëshminë e saj në një proces-verbal prej 4 faqesh, në një bisedë të përgjuar nga prokuroria e Katanias rezulton se shërbente si këshilltare, duke i orientuar anëtarët e grupit të përdornin numra të quajtur “citofonë”, për të mos u gjurmuar nga përgjimet e policisë italiane. Për më tepër, oficerja me inicialet B.A, u ka treguar anëtarëve të këtij grupi se ata mund të lokalizohen nga policia dhe se mund të zbulohen nga telefoni, edhe kur e humbin, apo e hedhin.
Sipas asaj që oficerja i tregon Maridian Sulajt, njërit prej të arrestuarve bashkë me Moisi Habilajn në ania, aparati i telefonit duhet të shkatërohet plotësisht, pastaj të hidhet. Pasi vetëm kjo mënyrë, do të asgjësonte jo vetëm të gjithë memorjen e telefonit, por edhe të shmangte lokalizimin e personit në vendet ku ai ka qëndruar.