Presidenti i Republikës Bajram Begaj do të jetë në Shkodër ditën e mërkurë, nesër, 5 tetor 2022. Lajmi bëhet i ditur nga Zyra e Shtypit, e cila jep detaje edhe për agjendën e takimeve.
Kreu i shtetit do të ketë një takim me kryebashkiakun e Shkodrës Bardh Spahia në orën 09.45 në Bashki. Po ashtu, presidenti Begaj do të ketë edhe takime të tjera, edhe me autoritete të tjera të Shkodrës.
Vizita e Begaj me gjasë është në kuadër të një turi që ai ka ndërmarrë në zona të ndryshme të Shqipërisë, ku Shkodra është kryeqendra e Veriut. Kjo vizitë vjen pak orë pasi presidenti ka nisur konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve vitin që vjen.
Bashkia e Shkodrës është e vetmja që drejtohet nga përfaqësues të PD- së, teksa 60 bashkitë e tjera të vendit, nga viti 2019, drejtohen nga PS- ja me kryebashkiakët e saj por edhe këshillat bashkiakë.
Akoma nuk ka informacion nëse pas takimit Spahia- Begaj, do të ketë dalje për mediat edhe pse është e qartë se në këto raste agjenda është në dorën e Institucionit të Presidentit të Republikës.
NJOFTIMI I PRESIDENCËS
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj do të zhvillojë ditën e mërkurë, më 5 tetor 2022, një vizitë pune në qytetin e Shkodrës.
Kreu i Shtetit do të mirëpritet nga Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, z. Bardh Spahia, si dhe do të zhvillojë takime me Prefekten e Qarkut të Shkodrës, znj. Majlinda Angoni, drejtues të Këshillit të Qarkut dhe Këshillit Bashkiak.
Presidenti Begaj do të vlerësojë me Dekoratën “Nderi i Kombit” Gjimnazin “28 Nëntori”, Shkodër, me rastin e 100-vjetorit të krijimit të tij.
Në qytetin e Shkodrës, Kreu i Shtetit do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e komuniteteve fetare, si në Myftininë e Shkodrës dhe në Kishën e Madhe, si dhe do të vizitojë Kishën Ortodokse. Në përfundim të vizitës së tij, Presidenti Begaj do të vizitojë Muzeun Fotografik “Marubi”.